Zëvendëskryeministri Oketa: Qeveria ka treguar vullnet të plotë në luftën kundër korrupsionit
- Prezantohet draft- strategjia ndërsektoriale për luftën kundër korrupsionit
Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa mori pjesë sot në prezantimin e draft- strategjisë për luftën kundër korrupsionit, në një takim me donatorë. Në këtë takim, të organizuar nga qeveria shqiptare në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Tiranë, merrnin pjesë përfaqësues të OSBE-së në Tiranë, zyrës së Këshillit të Evropës, Bankës Botërore dhe të tjerë institucioneve ndërkombëtare në vend, donatorë, përfaqësues të Trupit Diplomatik në Tiranë, etj.
Disa nga aspektet kryesore të strategjisë janë: Reformat ligjore parandaluese, që synojnë reduktimin e hapësirave për korrupsion, rritjen e transparencës, si dhe përfshirjen e shoqërisë dhe përpjekjet për edukimin dhe krijimin e një kulture antikorrupsion; krijimi i hapësirave ligjore për të vepruar, si dhe forcimi i kapaciteteve të administratës së institucioneve të specializuara për të garantuar një hetim të shpejtë, serioz dhe procedural të çdo rasti të dyshuar, në mënyrë që të zbulohen dhe ndëshkohen nga drejtësia të gjithë abuzuesit me postin dhe paratë publike.
Strategjia është hartuar nga një grup pune, i ngritur me urdhër të Kryeministrit dhe i kryesuar nga Zëvendëskryeministri Oketa. Në këtë grup kanë marrë pjesë zëvendësministra, drejtues të institucioneve qendrore dhe janë ftuar të kontribuojnë edhe specialistë të institucioneve që kanë pasur përvojë në strategji të mëparshme. Strategjia është diskutuar më parë edhe me përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të medieve, me komunitetin e biznesit, vërejtjet e të cilëve janë të pasqyruara në draftin e prezantuar sot.
Zëvendësambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, zoti Aleks Finnen, vlerësoi draft-strategjinë antikorrupsion, të përgatitur nga qeveria, si dhe shprehu mbështetjen komunitetit të donatorëve në zbatimin dhe forcimin e kësaj strategjie, si dhe në çdo nismë tjetër të tillë. Duke vënë theksin në rëndësinë e zbatimit korrekt të kësaj strategjie, zoti Finnen tha se është e nevojshme vendosja dhe zbatimi i rregullave të forta në këtë luftë antikorrupsion, si dhe monitorimi efikas i këtij procesi. Gjithashtu, Zëvendësambasadori i Prezencës së OSBE-së Finnen, tha se është shumë e rëndësishme edhe mbrojtja denoncuesve të rasteve korruptive.
Zëvendëskryeministri Oketa, në fjalën e tij, falënderoi institucionet ndërkombëtare dhe donatorët për mbështetjen e dhënë qeverisë shqiptare në këtë luftë kundër korrupsionit. “Deri më sot, qeveria ka treguare vullnet të plotë dhe ka treguar se di të vendosë prioritete dhe di të marrë masa emergjente për të ndaluar korrupsionin dhe për të ndërtuar një marrëdhënie të re mes qeverisë dhe qytetarëve, një marrëdhënie e cila në themel ka pasur seriozitetin tonë për të luftuar korrupsionin”, u shpreh zoti Oketa.
Zëvendëskryeministri Oketa përmendi disa nga arritjet kryesore të qeverisë në luftën kundër korrupsionit, duke vënë në dukje përpjekjet e qeverisë për të lëvizur drejt qeverisjes elektronike, ligjin e ri për prokurimet publike, duke theksuar se këtë muaj kanë filluar prokurimet publike on-line, hapjen e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të biznesit, në Tiranë, e cila është pasuar me disa qendra të reja në qytete të ndryshme të Shqipërisë, Shkodër, Elbasan, etj, përurimi i godinës së re të Drejtorisë së Përgjithshme të tatimeve dhe përurimi i fillimit të taksave elektronike për taksën e biznesit të madh, etj.
Zoti Oketa theksoi se ndërtimi një strategjie afatgjatë është një domosdoshmëri për të siguruar që progresi i bërë do të vazhdojë të jetë në të njëjtin kah, me ritme edhe më të mira.
Zëvendëskryeministri Oketa, i cili moderonte këtë takim, mirëpriti sugjerimet, vërejtjet dhe propozimet e donatorëve të ndryshëm, duke e konsideruar të domosdoshëm rolin dhe kontributin e tyre për përmirësimin e dokumentit strategjik, por sidomos gjatë zbatimit dhe monitorimit të vazhdueshëm dhe objektiv të tij.