Përmbytjet, shkak prishja e sistemit mbrojtës të zonës
Nuk janë mirëmbajtur argjinaturat. Janë bllokuar kanalet kullues
Përmbytjet nuk u shkaktuan vetëm prej reshjeve. Ato nuk do të kishin pasur përmasa të tilla në rast se do të ishte investuar drejt për mirëmbajtjen e një sistemi të tërë të ndërtuar posaçërisht për të parandaluar katastrofa të tilla. Degradimi i sistemit të argjinaturave që mbulojnë të gjithë ultësirën, si dhe prishja e kanaleve kullues, shkatërruan mbrojtjen e paracaktuar për situata të tilla.
është ky opinioni që vjen nga specialistë të Institutit të Ujit, Energjisë dhe Ambientit. Gjithashtu ata bëjnë të ditur se vala e shkatërrimit është shtrirë më tej edhe në çoroditjen e sistemit të matjeve hidrologjike. Ata përmendin grupet e punës që dikur merreshin me matjet e nivelit të ujërave të lumenjve, të prurjeve të tyre, madje edhe të shpejtësisë së ujërave. Mbi bazë të tyre kryheshin përllogaritjet, që krijonin një ide të qartë për situatën hidrike. Këtyre u bashkëngjiteshin edhe parashikimet meteorologjike dhe katastrofa të tilla nuk ndodhnin. Aktualisht, pohojnë specialistët, stacionet hidrometeorologjike nuk funksionojnë si më parë, falë edhe së ashtuquajturës reformë që ka nxjerrë nga puna shumë specialistë, duke reduktuar ndjeshëm numrin e punonjësve, por edhe zëvendësimin e tyre me personel jo të përgatitur.
Tashmë mungojnë thuajse plotësisht edhe studimet mbi situatën hidrike dhe të ardhmen e saj. Lidhur me mbrojtjen e zonave të banuara dhe të të gjitha territoreve të ulëta që rrezikohen nga lumi Drin, specialistët sqarojnë se ekziston një studim që daton më 1981, ku u punua mbi një model matematikor. Ndërkohë që, në vitin 1989 u krye një tjetër studim mbi bazë të një modeli fizik. Këto janë të vetmet studime për zonën, pasi në këto 20 vite gjithçka duket se i është lënë spontanitetit.Lidhur me situatën e përmbytjeve, specialistët e qendrës së dikurshme të kërkimeve hidraulike pohojnë se në kaskadën e Drinit janë ndërtuar dy diga të cilat përballojnë sasi të jashtëzakonshme prurjesh ujore. Ato janë diga e Qyrsaqit dhe diga e Zadejës. Ndërkohë që ishte llogaritur që për raste ekstreme të përdorej edhe një digë e tretë e ndërtuar në Gur të Zi. Megjithatë duket se asnjë nga elementët e këtij rrjeti të ndërtuar jo vetëm për prodhimin e energjisë elektrike, por edhe për të parandaluar zemërimin e Drinit ndaj zonave të banuara, nuk ka mundur që t’i bëjë ballë kësaj përmbytjeje katastrofale, falë neglizhencës 20-vjeçare të institucioneve.
Në një hartë të posaçme që përfshin të gjithë derdhjen e lumit Drin dhe tre hidrocentralet e ndërtuara mbi të, së bashku me ultësirën e Shkodrës përcaktohen me hollësi lartësitë e këtyre zonave, si dhe i gjithë rrjeti mbrojtës i argjinaturave dhe ai i kanalizimeve. Kjo hartë është ndërtuar mbi bazë të të dhënave të vitit 1980. Në një vështrim të shpejtë në “Google earth” mund të vihen re ndërtimet e viteve të fundit në të gjithë këtë pjesë të ultësirës së Shkodrës, të cilat kanë fshirë në një pjesë të madhe sistemet mbrojtëse. Nga ana tjetër, mungesa e investimeve ose punët e pakryera me cilësi në argjinaturat mbrojtëse u kanë lënë rrugë të lirë ujërave të depërtojnë në të gjithë këtë hapësirë, duke shkaktuar dëme prej dhjetëra milionë eurosh. Specialistët bëjnë të ditur se edhe ky organizim i ri i instituteve dhe tkurrja e tyre në qendra me shumë më pak punonjës shkencorë ka sjellë efektin e tij. Ndërkaq ata shprehen se të vetmit që interesohen për projekte dhe matje laboratorike janë privatët që kanë marrë me koncesion hidrocentralet e vogla në vend.
#