E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi: Çdo qark të ketë gjykatë administrative

20/03/2012  Komisioni i Ligjve seancë dëgjimore me grupet e interesit për ligjin

Gjyqtarët: Përzgjedhja e trupës gjykuese të bëhet me 3/5-at e Kuvendit

Për më shumë se tri orë Komisioni i Ligjeve zhvilloi një seancë dëgjimore me grupet e interesit, që dhanë mendimin e tyre lidhur me projektligjin për Gjykatën Administrative. Çështjet e debatuara se sa gjykata administrative duhet të ngrihen në tri shkallët e gjyqësorit në gjithë vendin, si do të përzgjidhen gjyqtarët dhe nga sa të tillë duhet të përbëhet trupa e gjykimit të një çështjeje administrative janë bërë pjesë e diskutimit të djeshëm mes përfaqësuesve të grupeve të ndryshme dhe ligjvënësve shqiptarë. Në ndryshim nga sa parashikohet në draftin aktual, ku përcaktohet ngritja e gjashtë gjykatave të rrethit dhe një apeli në Tiranë, përfaqësuesit e biznesit kërkuan që ligji të parashikojë ngritjen e një gjykate të shkallës së parë në çdo qendër qarku, si dhe tri gjykata apeli të ngrihen në qytetet më të mëdha të vendit. “Gjykata Administrative duhet të ngrihet në çdo qendër qarku, pra duhet të kemi në të gjithë vendin 12 gjykata të tilla. Ndërsa duke iu referuar shtrirjes gjeografike, ne propozojnë që në epiqendrat më të mëdha të ngrihet nga një gjykatë apeli. Konkretisht në Shkodër, Tiranë dhe Vlorë. Dhe të gjitha këto të kryesohen nga një trupë më e specializuar, që është Kolegji Administrativ, që duhet të ngrihet në Gjykatën e Lartë”, – u shpreh dje kreu i shoqatës “Bussines Albania” Luan Bregasi. Por siç vërejti kreu i Konfindustrisë Gjergj Buxhuku, gjithçka duhet të llogaritet në varësi të buxhetit dhe ngritja e gjykatës, nga ana tjetër, të mos zvarritet. Sa u përket kritereve mbi të cilat duhet të zgjidhen gjyqtarët që do të shqyrtojnë çështje administrative, kryetarja e shoqatës së gjyqtarëve Manjola Berberi kërkoi që gjyqtarët të zgjidhen nga Kuvendi me shumicë të cilësuar votash. Kjo sipas saj është dhe mekanizmi që garanton ruajtjen e pavarësisë së këtij institucioni. “Përzgjedhja e gjyqtarëve të këtyre gjykatave të bëhet me 3/5-at e votave në Kuvend, pasi rritet më shumë pavarësia e këtij institucioni”, – propozoi Bejleri duke sugjeruar se gjyqtarët që do të përfshihen të kenë kryer kualifikimin për çështje administrative në Shkollën e Magjistraturës.

Çështjet gjyqësore

Ndryshe nga çfarë parashikon drafti aktual, një pjesë e mbrojtësve të interesave të biznesit, por edhe Dhoma e Avokatisë e gjyqtarët kërkuan që trupa e gjykuese e çështjes duhet të jetë sa më e vogël, në mënyrë që çështja të shqyrtohet në një kohë të shkurtër dhe cilësore. “Afatet kohore për ngritjen e padisë (një ose dy muaj) janë një kontribut i nevojshëm për sigurinë ligjore. Siguria ligjore ka një rëndësi të veçantë, nëse njësia administrative jep leje [për shembull, përfituesi i një leje ndërtimi ka shumë interes të dijë nëse dhe për sa kohë leja mund të kundërshtohet nga palë të treta (fqinjët)]. Si rrjedhojë, përfituesi i një leje duhet të ketë të drejtë të fillojë një procedurë njoftimi për palët e treta. Limitet kohore të shqyrtimit gjyqësor të veprimeve administrative duhet të fillojnë kur individi i prekur njoftohet për veprimin administrativ dhe informohet saktësisht për të drejtat e tij/saj në lidhje me aplikimin ose apelin. Afatet kohore brenda të cilëve gjykata duhet të marrë një vendim duhet të rregullohen gjithashtu”, - tha Maks Haxhia, përfaqësues i Dhomës së Avokatisë. “Qëllimi i projektligjit është reformimi i kuadrit të përgjithshëm ligjor administrativ në Shqipëri në kuadër të reformës në drejtësi. Gjykatat Administrative do të rritin transparencën e vendimeve administrative dhe mund të luajnë një rol të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit”, - tha Julian Haxhiu, përfaqësues i Unionit të Gjyqtarëve.

Dhoma e Tregtisë

“Ngritja e gjykatave administrative dhe vënia në zbatim e ligjit për funksionimin e saj duhet të ketë përfunduar deri më 1 janar të vitit të ardhshëm. Ngritja e saj është një nga kushtet për marrjen e statusit kandidat në BE”, - tha Fabri.

Unioni i Gjyqtarëve

“Ky projektligj reflekton rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian për përcaktimin e standardeve në kontrollin gjyqësor të veprimtarisë të administratës publike”, – tha përfaqësuesi i Unionit të Gjyqtarëve Julian Haxhiu.

Dhoma e avokatëve

“Duhet patjetër kolegji, pasi ka një impakt të gjerë ngritja e kësaj gjykate. Gjyqtarëve t’u jepet e drejta e karrierës e të jenë nga Shkolla e Magjistraturës. Sa i përket buxhetit, duhen përcaktuar saktë shpenzimet”, – tha Haxhia.

Bussines Albania

“Gjykata Administrative duhet të ngrihet në çdo qendër qarku, pra duhet të kemi në të gjithë vendin 12 gjykata të tilla. Ndërsa duke iu referuar shtrirjes gjeografike, ne propozojnë që në epiqendrat më të mëdha të ngrihet nga një gjykatë apeli. Konkretisht në Shkodër, Tiranë dhe Vlorë. Dhe të gjitha këto të kryesohen nga një trupë më e specializuar, që është Kolegji Administrativ, që duhet të ngrihet në Gjykatën e Lartë”, – u shpreh dje kreu i shoqatës “Bussines Albania” Luan Bregasi.

Shoqata e Gjyqtarëve

“Largësia mes gjykatave që parashikohen në këtë ligj shkaktojnë probleme sa i përket vendimmarrjes si dhe ka kosto edhe për qytetarët, të cilët duhet të udhëtojnë me kilometra që të paraqiten në këto gjykata. Duhet parë gjeografia e shpërndarjes së këtyre gjykatave, të cilat nuk janë të afta për të përballuar numrin e lartë të çështjeve që do shqyrtojë. Kjo për shkak se numri i tyre është i vogël, gjë që rrezikon dhe cilësinë e vendimmarrjeve të këtyre gjykatave”, – tha dje Manjola Bejleri.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›