E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti për kampusin universitar

20/03/2012  Dosja për lejen e ndërtimit gati për në bashki

Kërkohen financime dhe nga qeveria

Projekti për ndërtimin e kampusit të ri universitar në kryeqytet është gati për të marrë aprovimin për nisjen e punimeve. Kreu i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, ka deklaruar gjatë ditës së djeshme se janë përcaktuar të gjitha detajimet teknike nga ana e ekspertëve për ndërtimin e këtij kampusi. Kule ka bërë me dije se gjatë kësaj jave do të depozitohet në bashki dosja me të gjitha dokumentet e kërkuara për marrjen lejes së ndërtimit të këtij kampusi, i cili do të ngrihet në zonën pranë ish-kinoklubit të Qytetit Studenti. Sipas detajimeve të bëra, Universiteti i Tiranës ka akorduar një fond prej 2 milionë eurosh për fillimin e zbatimit të projektit për ndërtimin e kampusit universitar, i cili do të ketë një shtrirje prej 40 mijë metra katrorë e që do t’u japë zgjidhje mungesës së auditorëve në fakultete publike. “Javën e ardhshme do të dorëzohet aplikimi për lejen e ndërtimit dhe pasi të merret leja do të përdorim buxhetin tonë, si dhe do të kërkojmë fonde të tjera për ndërtimin e Kampusit, i cili do të ideohet me godina për të gjithë", - ka deklaruar Kule gjatë aktivitetit të zhvilluar në Fakultetin Ekonomik pranë të cilit është inauguruar ngritja e një laboratori për zhvillimin e kërkimit shkencor. Ndërtimi i këtij kampusi mbart një kosto të lartë financiare. Sipas Kules, vlera totale për ndërtimin e Korpusit është 26 milionë euro, ndaj për të siguruar këtë shumë të madhe fondesh rektori Kule ka kërkuar ndihmën e qeverisë dhe të investitorëve për financimin e projektit.

26 milionë euro

Duke iu referuar vlerës së madhe prej të paktën 26 milionë eurosh që kërkon ndërtimi i kampusit të ri universitar në kryeqytet, rektori i UT-së, Dhori Kule, ka vënë në dukje se nevojiten edhe financime nga investitorët vendas apo të huaj si dhe nga qeveria për të realizuar këtë vepër, e cila do t’u japë fund mbipopullimit të auditorëve. Projekti për ndërtimin e kampusit universitar tashmë është gati për miratim.

Detajimet mbi projektin

e kampusit për studentët

Sipas planit urbanistik, kampusi studentor i UT-së do të jetë me 5 kate, me sipërfaqe ndërtimi mbi tokë prej 32.536 metra katrorë, ku zona sportive do të zërë një sipërfaqe prej 13.150 metra katrorë. Kampusi do të ketë një palestër (1 890 metra katrorë, fushë minifutbolli (1 600 metra katrorë), fushë tenisi (1 040 metra katrorë), fushë basketbolli (1 260 metra katrorë) dhe pistë vrapimi (1 540 metra katrorë). Nuk do të mungojnë as rrugët automobilistike, ku do të përfshihen trotuare, rrugë këmbësorësh dhe sheshe gjelbërimi. Të gjithë studentët e tetë fakulteteve të Universitetit të Tiranës do të grumbullohen së bashku në kampusin e ri universitar. Pak kohë më parë rektori Kule pati deklaruar se kampusi studentor është zgjidhja afatgjatë, me standarde bashkëkohore të infrastrukturës, duke konfirmuar se është përgatitur studimi urbanistik pjesor i kampusit, që parashikon mjedise studimi për mbi 15 mijë studentë të rinj. "Kjo ndërtesë do të jetë e nivelit dhe formatit cilësor ndërkombëtar dhe fatmirësisht është i zgjidhur problemi i pronës, pasi është në zonën universitare të UT-së, sikurse janë dhe mjediset sportive në Qytetin Studenti", - tha Kule. Lidhur me financimin e këtij projekti vetë Universiteti i Tiranës do të kontribuojë me të ardhurat dytësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›