E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i Bankës Botërore sheh pozicionin e dollarit në dobësim

Nga Edmund L. Andrews
"The New York Times"
Presidenti i Bankës Botërore tha së fundmi se ditët e Amerikës si superfuqi e paarritshme ekonomike mund të jenë të numëruara dhe se dollari ka shumë gjasa të humbasë pozicionin e vet, ndërsa euro dhe renminbi i Kinës do të marrin pozicion më të fortë. Robert Zoellick tha se Departamenti i Thesarit duhet të marrë më shumë fuqi.
"Shtetet e Bashkuara e kanë gabim nëse e marrin si të mirëqenë pozicionin e dollarit si monedha dominuese e rezervës në të gjithë botën", tha Zoellick në një fjalim në Universitetin John Hopkins. "Duke parë përpara, mund të gjenden gjithnjë e më shumë zëvendësues për dollarin", tha ai.
Z. Zoellick, i cili më herët ka shërbyer si përfaqësues i Shteteve të Bashkuara për Tregtinë dhe si zëvendëssekretar Shteti në kohën e Presidentit George W. Bush, tha se euro ofron aktualisht një "alternativë të respektueshme" për financimin e transaksioneve ndërkombëtare dhe se "ekzistojnë të gjitha arsyet për të besuar se pranimi i euros si mjet pagese mund të rritet",
Sipas tij, në 10 apo 20 vitet e ardhshme, dollari do të përballet me konkurrencë në rritje nga monedha e Kinës, renminbi. Megjithëse tani për tani udhëheqësit e Kinës e kanë minimizuar përdorimin e monedhës së tyre në transaksionet ndërkombëtare, pjesërisht për të kontrolluar me rreptësi kursin e këmbimit, z. Zoellick thotë se renminbi mund të "kthehet në një forcë të madhe në financat ndërkombëtare".
Banka Botërore, e cila është financuar nga qeverinë e të gjithë botës dhe i huazon para vendeve të varfra, nuk ka të drejtë të japë komente mbi politikat ekonomike të kombeve të mëdha apo të flasë për çështje monedhash.
Deklaratat e z. Zoellick qenë të pazakonta, pjesërisht për shkak se dukej sikur synonte të shfaqej provokativ. Ai argumentoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një grusht vendesh të pasura nuk do të mund ta dominojnë ekonominë e botës edhe për shumë kohë dhe shprehu bindjen se Amerika po e humbet rolin e vet. Ai diskutoi edhe mbi politikën më të rëndësishme të ndërmarrë nga Presidenti Obama, planin për të reformuar sistemin rregullues të botës së financave.
"Fati i dollarit do të varet shumë nga zgjedhjet e vetë SHBA-ve", tha ai. "A do t‘ia dalin SHBA-të të zgjidhin problemin e borxhit të vet pa hyrë në inflacion? A mundet që Amerika të vendosë disiplinë afatgjatë në shpenzimet dhe deficitin e vet buxhetor?"
Z. Zoellick kritikoi planin e Presidentit Obama për të ngarkuar Rezervat Federale me përgjegjësinë për të reduktuar "rreziqet sistemike" dhe për të mbikëqyrur institucionet e vlerësuara si shumë të mëdha për të falimentuar. Sipas tij, një përgjegjësi e tillë duket t‘i ngarkohet në fakt Departamentit të Thesarit për shkak se ky i fundit i jep më shumë llogari Kongresit. Rezervat Federale janë Banka Qendrore e SHBA-ve dhe ruajnë pavarësi të konsiderueshme politike nga legjislativi dhe ekzekutivi. Diskutimi aktual është se nëse këtij institucioni i ngarkohet përgjegjësia për të shpëtuar nga falimenti bankat në vështirësi me paratë e taksapaguesve, atëherë vetë taksapaguesit nuk do të kenë mundësi të informohen apo të kërkojnë llogari.
"Në Shtetet e Bashkuara do të jetë e vështirë që teknokratët e fuqishëm dhe të pavarur të Rezervës Federale të ngarkohen me më shumë përgjegjësi", tha Zoellick duke shtuar se "Thesari është një departament ekzekutiv e për pasojë Kongresi dhe publiku mund ta mbikëqyrin në mënyrë të drejtpërdrejtë se si po e përdor autoritetin e vet".
"Rendi i vjetër ndërkombëtar ekonomik ka qenë në vështirësi përballë ndryshimeve të fuqisë ekonomike edhe përpara krizës", - tha presidenti i BB.
Udhëheqësit kryesorë të botës ranë dakord javën e kaluar të shpërbëjnë forumin e tetë vendeve më të industrializuara, institucionin që shërbente për bashkëpunim botëror dhe ta zëvendësojnë këtë me grupin e 20 vendeve më me rëndësi në ekonominë botërore. Struktura e re do t‘i japë më shumë peshë ndërkombëtare vendeve si Kina, India etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›