Biznesi i vogël, 7 mijë vende pune më pak
Numri i të vetëpunësuarve në qytete, u ul me 7 mijë vetë gjatë vitit 2007, në krahasim me vitin 2006, ndërsa tendenca negative ka vijuar edhe në vitin 2008, pavarësisht se të dhënat zyrtare nuk janë publikuar ende. Lajmi u bë i ditur nga statistikat e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale. Rreth 72 mijë shqiptarë rezultonin të vetëpunësuar në sektorin jobujqësor në vitin 2006, gjë që nënkupton se punonin në aktivitete të vogla tregtare apo prodhuese. Një vit më vonë, numri i të vetëpunësuarve ra në 65 mijë. Numri i të vetëpunësuarve që paguajnë taksa është një tregues i rëndësishëm i lehtësisë të të bërit biznes në vend. Sipas të dhënave të raportit të të bërit biznes, që publikohet çdo vit nga Banka Botërore, taksat janë problemi më i madh në Shqipëri dhe gjatë viteve 2007-2008, janë përkeqësuar. Mundësitë për të ngritur një aktivitet të vogël ekonomik u përmirësuan ndjeshëm në vitin 2006, kur taksat për këtë kategori u ulën. Në atë kohë, një biznes i vogël mund të niste aktivitetin duke paguar jo më shumë se 150 mijë lekë taksa. Taksat në Shqipëri paguhen para fillimit të aktivitetit. Por gjatë vitit 2007, qeveria filloi përpjekjet për të arkëtuar më shumë të ardhura për sigurimet shoqërore, gjë që solli edhe rritjen e ngarkesës reale të taksave mbi bizneset. Biznesi i vogël u godit më rëndë nga vendosja e sistemit të pagave referuese, gjë që solli edhe uljen e numrit të bizneseve të vogla në vend. Pronarët e bizneseve të vogla u klasifikuan sipas pagave referencë, si "menaxherë" dhe u detyruan të paguajnë sigurime shoqërore mbi paga të fryra, pavarësisht nëse biznesi i tyre krijonte të ardhura më të larta apo më të ulëta.
Gjatë vitit të kaluar, masa të tjera shtrënguese, si përcaktimi i numrit minimal të të punësuarve në biznesin e vogël, vështirësoi edhe më shumë jetesën e këtyre bizneseve.
Të vetëpunësuarit përbëjnë rreth një të tretën e të punësuarve në sektorin privat jobujqësor në Shqipëri.
Gjatë vitit të kaluar, masa të tjera shtrënguese, si përcaktimi i numrit minimal të të punësuarve në biznesin e vogël, vështirësoi edhe më shumë jetesën e këtyre bizneseve.
Të vetëpunësuarit përbëjnë rreth një të tretën e të punësuarve në sektorin privat jobujqësor në Shqipëri.