E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri-Kosovë, marrëveshje për agro-bujqësinë

Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit e Shqipërisë dhe ajo homologe e Kosovës, kanë nënshkruar këto ditë një marrëveshje që synon thellimin e bashkëpunimit në fushën e bujqësisë dhe ushqimit. Marrëveshja e nënshkruar nga ministrat përkatës të dy vendeve, synon përmirësimin e kushteve të shkëmbimeve kufitare, në zbatimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë të nënshkruar më herët, në blegtori, në vreshtari, në investimet ndërkufitare që kanë për donatorë KE etj. Si dhe në fushën e investimeve të përbashkëta siç janë siguria ushqimore, standardet ushqimore dhe kontrollet e ndërsjella për t‘iu afruar standardit të BE-së. "Synojmë krijimin e një tregu të sigurt për konsumatorët tanë të dy vendeve, por edhe për ato të BE-së ku ne do të jemi prezentë me produktet tona", ka thënë ministri Gjana. Lidhur me programet e përbashkëta të zhvillimit të bujqësisë e blegtorisë, ai tha se "jemi dy shtete, por jemi një tërësi për arealin e zhvillimit të këtyre sektorëve", ka thënë ministri Gjana. Bujqësitë e të dy vendeve edhe pse që të dyja janë mesdhetare, siç u vu në dukje nga ekspertët, kanë edhe veçoritë e tyre, pasi Shqipëria eksporton në Kosovë një numër produktesh duke nisur me ullirin dhe nënproduktet, agrumet, disa perime etj., ndërsa Kosova me vreshtarinë etj. Në Shqipëri ende në zonat rurale jetojnë 54% e popullsisë, ndërsa në Kosovë shifra shkon deri në 60%. Ndryshe nga Shqipëria ku mbështetja për sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë ka ardhur në rritje, në Kosovë mbështetja për zonat rurale në dekadën e fundit të administruar nga OKB qenë simbolike. Vetëm formimi i institucioneve të shtetit të pavarur të Kosovës, një vit më parë ka bërë që në sektorin e bujqësisë dhe zonave rurale atje të dyfishohen financimet publike dhe private. Një pjesë të nevojave të konsumit Kosova i ka plotësuar nëpërmjet tregut maqedonas dhe atij bullgar, por me ndërtimin e autostradës Durrës-Kukës-Prishtinë, siç argumentojnë ekspertët, tregu agrobujqësor dhe shumë tregje të tjerë të Kosovës dhe më gjerë, do të orientohen nga Shqipëria.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›