E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi kërkon edhe 6 muaj afat për amnistinë fiskale

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, si dhe ai i Shoqatës së Ndërtuesve, Avenir Kika, gjatë një konference për shtyp, bënë të ditur se shtyrja e afatit të zbatimit të amnistisë fiskale do të çonte në një përmbushje të procesit.

"Në dy muajt e fundit është vënë re një fluks i madh sipërmarrësish që po aplikojnë në të gjitha sportelet tatimore dhe hipotekore sidomos për rivlerësimin e kapitaleve fikse", theksoi Jaka. Biznesi shqiptar, sipas tij, reagoi me vonesë, kjo për shkak të mentalitetit të tij, por edhe për shkak të besimit të ndërsjellë që ekziston. Ai theksoi se kërkesa duhet të merret parasysh edhe duke patur parasysh faktin se sipërmarrja private mbulon rreth 85 për qind të GDP dhe të numrit të të punësuarve në vend. 

Kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, Avenir Kika, duke theksuar faktin se ligji ka patur paqartësi për komunitetin e biznesit, tha se në dy muajt e fundit ka patur një rritje të fluksit të ndërtuesve për të rivlerësuar pallatet pranë hipotekës. Janë rreth 100 pallate ose rreth 1000 apartamente që do t'i nënshtrohen procesit të rivlerësimit.

"Vonesa e krijuar për legalizimin e aseteve pranë zyrave të regjistrimit erdhi nga moskuptimi i ligjit nga publiku, por edhe nga ana e sipërmarrjeve. Në zyrën e regjistrimit të Tiranës ka një rekord kërkesash", deklaroi Kika. Ministria e Financave ka lënë të kuptohet se ky afat do të mund të shtyhet. /Start/

                                                                                             2011-12-15 14:37
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›