Portat në Fierzë dhe Koman janë në rrezik, nuk mbyllen më nëse hapen
Raporti
Qeveria u paralajmërua me rreziqet. SECO: Nuk janë mirëmbajtur kanalet shkarkuese
Një pjesë e hidrocentraleve në veri të vendit janë në rrezik të madh. Katastrofa e përmbytjeve nga shkarkimet e HEC-ve në Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës vuri në dyshim kapacitetin e tyre dhe sigurinë, ndërsa qeveria nuk ishte në gjendje të vërtetonte funksionimin e tyre. Gazeta hedh në dritë të tjera fakte nga raporti i zviceranëve të SECO-s, të cilët e kishin paralajmëruar palën shqiptare në 2008-n , për defektet në portat e hidrocentraleve kryesore, Fierzë dhe Koman. Në raport thuhet se për shumë kohë, autoritet nuk kanë vendosur dorë në të paktën gjysmën e kanalizimeve të shkarkimit të ujit, kurse gjysma e portave ku derdhet uji nuk janë vënë në punë. Sipas studimit, për t’i rikthyer në gjendje optimale sipas standardeve të Bashkimit Europian, nevojiten të paktën 150 milionë euro.
“Infrastruktura e kanalizimeve të shkarkimeve nuk është mirëmbajtur. Po ashtu, gjysma e portave nuk është vënë në punë që nga koha e ndërtimit dhe nëse hapen, nuk japin garanci për mbylljen, duke rrezikuar katastrofa”, thuhet në një pjesë të raportit.
Për këtë qëllim qeveria është vënë në lëvizje për të gjetur burimet e financimit, pasi i gjithë projekti kushton rreth 200 milionë euro, për rehabilitimin e gjithë zonës dhe HEC-ve në të kaskadat e lumenjve Mat dhe Drin.
Aktualisht në lojë kanë hyrë tre donatorë, si Banka Botërore, banka gjermane e KfW si dhe zviceranët, ndërsa pritet angazhimi i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Faza e parë e projektit, referuar studimit të SECO-s, kushton rreth 65 milionë euro, dhe nëse mbyllen marrëveshjet me donatorët e sipërpërmendur, zbatimi nis shumë shpejt. Burime pranë projektit konfirmon faktin se ishte pikërisht neglizhenca e ish-ministrit të Energjetikës, që solli vonese në zbatimin e projektit, ndërsa ministri aktual ka shfaqur interes, duke zhvilluar disa takime intensive me donatorët.
Sipas SECO-s, HEC-et në Shqipëri nuk japin garanci sa i takon përmbytjeve dhe shembjeve. Të paktën portat shkarkuese, sidomos e treta në Fierzë nuk është hapur që nga koha e ndërtimit dhe një mbushje e nivelit të Fierzës, rrezikon seriozisht jetët e banorëve përreth.
#