Shqiptarët paguajnë 2 mijë lekë më shumë për ushqimet
Vëzhgimi
Sipas INSTAT, 40 e shpenzimeve mujore shkojnë për ushqime
Inflacioni zyrtar 2 për qind, edhe pse më i ulëti i viteve të fundit, fsheh rritjen e çmimeve për produktet më të domosdoshme të konsumit familjar, ushqimeve, të cilat zënë dhe pjesën më të madhe të shpenzimeve në një familje. Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave tregojnë se çmimet e ushqimeve sot janë 6.7 për qind më të larta se sa në dhjetorin e vitit 2008.
Kjo rritje është më e larta që nga viti 1997. Madje ajo është edhe më e lartë se sa rritja e çmimeve të artikujve ushqimor gjatë vitit 2007, kur bota u përball me krizën më të rëndë të ushqimeve gjatë dekadave të fundit.
Shtrenjtimi i ushqimeve krijon barrën më të rëndë për buxhetet familjare pasi ato zënë peshën më madhe në shpenzimet mujore, e cila sipas INSTAT është rreth 40 për qind.
Në anketën e shpenzimeve të realizuar verën e vitit të kaluar, INSTAT përllogariti zyrtarisht se një familje në Shqipëri shpenzon në total mesatarisht 68 mijë lekë në muaj, nga të cilat 27 mijë lekë harxhohen vetëm për ushqime.
Me këtë rritje prej 6.7 për qind, një familje shpenzon sot rreth 2 mijë lekë më shumë në muaj për të blerë të njëjtat ushqime si një vit më parë.
Goditja është shumë e rëndë për familjet me të ardhura të pakta, në të cilat shpenzimet për ushqime sipas Bankës Botërore zënë deri në 70 për qind të totalit të ardhurave mujore.
#