E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi kundër amnistisë së pjesshme fiskale

Në një reagim për shtyp, administratori i këtij institucioni, Gjergj Buxhuku u shpreh se Konfindustria, me cilësinë e nismëtarit të kryerjes së Amnistisë Fiskale, shpreh domosdoshmërinë e përfshirjes në proces në mënyrë të njëkohshme të kategorisë së "biznesit" dhe "qytetarëve" pa përjashtim. Sipas Buxhukut, mënjanimi nga amnistia fiskale i "qytetarëve" do të thotë praktikisht dështim të procesit ende pa filluar. “Qëllimi i ndërmarrjes së nismës ishte pikërisht hapja e një kanali të ri oksigjeni financiar në ekonominë shqiptare pikërisht në kohën kur pasojat e krizës globale tashmë na ka prekur ndjeshëm dhe qartë. Janë pikërisht të ardhurat në zotërim në radhë të parë nga qytetarët shqiptare brenda dhe jashtë vendit dhe që do të mund të futeshin në sistemin tonë bankar dhe ekonomik, që ishin patur parasysh nga Konfindustria në marrjen e vendimit për nismën e amnistisë fiskale”, thekson në deklaratë Buxhuku. Konfindustria, në bashkëpunim me partnerët e saj nga vendet e BE me përvojë në fushën e amnistisë fiskale, po përgatit projektin e faljes fiskale, që shpejt do t’i paraqitet  institucionalisht Qeverisë Shqiptare dhe publikut në përgjithësi. “Projekti i Konfindustrisë ka si një nga shtyllat kryesore përfshirjen në proces në mënyrë të njëkohshme të: - qytetarëve dhe -biznesit  pa përjashtim. Vetëm në këtë mënyrë do të shpresojmë se mund të kryejmë një proces të suksesshëm dhe me vlerë për mbështetjen e ekonomisë kombëtare në tërësi në çastet e vështira që po kalojmë”, thuhet në deklaratë.                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›