Korçë, reshje të dendura bore dhe temperatura nën zero
Sot në mëngjes në qytetin e Korçës, temperaturat ishin nga minus 5 deri 7 gradë celsius, ndërkohë, që nga ora 09:00 kanë filluar reshje bore me intensitet. Sipas drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Mirëmbajtjes të Rrugëve Nacionale në Korçë, Kreshnik Zgjani, gjatë mëngjesit rrugët kanë qenë të ngrira në Qafën e Qarrit, Qafën e Thanës dhe përgjithësisht në zonat malore. Që në orët e para të mëngjesit është hedhur kripë dhe skorie në të gjitha rrugët e ngrira dhe ato janë të kalueshme për automjetet. E bllokuar gjatë pasdites të së shtunës, ka qenë rruga e fshatit Dardhë, e cila u hap në mbrëmjen e djeshme vonë. Edhe gjatë ditës së diel, kjo rrugë është e kalueshme vetëm me zinxhirë. E kalueshme me zinxhirë është edhe rruga e fshatit turistik të Voskopojës, ndërkohë që rruga e komunës Lekas, është e bllokuar nga reshjet e shumta të dëborës, që kanë rënë në segmentin rrugor Gjergjevicë- Voskopojë, ku lartësia i kalon 1000 m. Policia e qarkullimit rrugor vazhdon patrullimet në rrugët më problematike dhe nuk lejon qarkullimin e automjeteve pa zinxhirë.