E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi kundër pagave referuese

Aplikimi i pagave referuese është problemi kryesor me të cilin haset sot biznesi vendas. Kjo, pasi inspektorët tatimorë në pamundësi për të 

 verifikuar saktë pagën e një punonjësi, vendosin pagën referuese, e cila mund të jetë edhe më e lartë se paga reale. Por kjo ka një kosto të lartë për biznesin. Në fakt pagat referuese janë vendosur që vitin e kaluar, por aplikimi në masë i tyre vazhdon të mbetet një problem për biznesin. Këto probleme u diskutuan dje gjatë një takimi të zhvilluar mes kreut të administratës tatimore, Arben Sefgjini dhe drejtuesve të biznesit të Dhomës së Prodhuesve të Veshjeve. Gjatë takimit kreu i Tatimeve tha se, "administrata tatimore është përfshirë në një sërë reformash të thella, me qëllim krijimin e një klime të favorshme për tatimpaguesit". Sipas tij, ligji i ri "Për Procedurat Tatimore" shërben si gur themeltar për ndërtimin e një administrate tatimore moderne, efektive dhe të ndershme në Shqipëri. "Ai shënon një kthesë historike, në mënyrën se si mblidhen dhe administrohen tatimet në vendin tonë, duke hequr dorë përfundimisht nga praktika të çrregullta dhe arbitrare, duke futur parimin e vetëdeklarimit dhe duke vënë theksin në një marrëdhënie të drejtë dhe transparente mes administratës tatimore dhe tatimpaguesve", u shpreh Sefgjini. Në të gjithë Shqipërinë numërohen gjithsej 450 ndërmarrje të prodhimit të veshjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›