E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtuesit kundërshtojnë rritjen e taksave vendore

Ndërtuesit kanë kundërshtuar vendimin e qeverisë për rritjen e taksave vendore. 

Fabiola Çela

Sipas tyre, një vendim i tillë ndikon në rritjen e kostos së ndërtimit, çka nxit edhe më shumë rritjen e çmimit të banesave. Në një deklaratë për mediat ata i kanë kërkuar qeverisë që të bisedojë me ta, përpara se të ndërmarrë vendime të cilat prekin këtë sektor.
Vendimi
Sipas vendimit të miratuar pak ditë më parë nga qeveria, niveli i taksës së ndikimit në infrastrukturë është dyfishuar. Bëhet fjalë për taksën që paguajnë ndërtuesit e pallateve. Kjo taksë është 1-3 për qind e vlerës së investimit. Për Tiranën kjo taksë ishte 2-4 për qind. Por sipas vendimit të qeverisë, kjo taksë tashmë është 4 për qind për të gjitha qytetet dhe 6 për qind për Tiranën. Ndërkaq për herë të parë, qeveria ka vendosur të aplikojë taksën mbi trojet. Të gjitha këto ndryshime të miratuara nga Këshilli i Ministrave janë kundërshtuar ashpër nga shoqata e ndërtuesve. "Ne deklarojmë se jemi kundër rritjes së nivelit të taksës së ndikimit në infrastrukturë nga 4 në 6 për qind, rritjes së taksës së regjistrimit të përvitshëm të mjeteve, si dhe futjes së një detyrimi të ri të taksës së truallit urban për mënyrën si kërkohet të paguhet dhe qëllimi i përdorimit të tyre, pa përfillur kërkesat tona të drejta", kanë deklaruar dje drejtues të shoqatës së ndërtuesve. Një vendim i tillë rrit në mënyrë të ndjeshme koston në sektorin e ndërtimit. Por kjo rritje e kostos bie në kurriz të qytetarëve që duan të blejnë një apartament të ri. "Me këtë rritje të detyruar të çmimeve për shkak të politikave fiskale, aspak të favorshme, deklarojmë që strehimi në Tiranë por dhe në rrethe do të jetë i pamundur për qytetarët", shtojnë ndërtuesit. Madje, sipas tyre, janë me qindra milionë euro që kërkohet t'i merren industrisë së ndërtimit e cila është kthyer në një shënjestër të lehtë për sistemin e taksave. Përballë një situate të tillë ata i kanë kërkuar drejtuesve të qeverisë që të ulet sa më parë në tavolinën e bisedimeve për të diskutuar projektligjet, që në fazën e hartimit në mënyrë që të mos gjenden para fakteve të kryera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›