E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi, më pak para në banka

"Kriza është shkaktuar nga paniku që i bind shqiptarët të tërheqin depozitat nga bankat", deklaroi ministri i Financave, Ridvan Bode, javën e kaluar. Sipas tij, për shkak se qytetarët nuk i mbajnë paratë në banka, këto të fundit nuk e kreditojnë dot biznesin dhe vendi futet në vështirësi.

Por të dhënat e muajit shkurt për ecurinë e depozitave dhe kreditimit në Shqipëri flasin për të kundërtën. Sipas të dhënave, individët vijuan të depozitojnë para në banka. Vetëm gjatë shkurtit, 25 milionë euro u depozituan nga individët. Por në krahun tjetër, qenë kompanitë, subjektet që tërhoqën depozitat e tyre në banka për të shlyer detyrimet, ndërkohë që rritën kredimarrjen për kapital qarkullues dhe overdraft.

Sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, depozitat totale në sistemin bankar shqiptar ranë gjatë muajit shkurt me rreth 50 milionë euro, ku depozitat e korporatave u ulën me 75 milionë euro, ndërsa depozitat e individëve u rritën me 25 milionë euro. Në baza vjetore, asetet e bankave nuk shënuan rritje gjatë shkurtit për herë të parë në shumë kohë. Por në të njëjtën periudhë, portofoli i kredive u rrit me 34 për qind në krahasim me shkurtin e vitit 2008, gjë që konsiderohet si rritje e fortë. Problemi është se kredia e re u drejtua te mbulimi i nevojave të biznesit për të shlyer detyrimet afatshkurtra.

Shifrat e publikuara tregojnë për vështirësi të mëdha që po has biznesi në vend. Gjatë shkurtit, sektori i biznesit huazoi nga bankat edhe 100 milionë euro të tjera në formën e kredive overdraft dhe kredive për kapital qarkullues, ndërkohë që gati u ndalua marrja e kredive për qëllime të tjera.

Vështirësi për likuiditet

Ekonomia shqiptare po përballet me rënien e shitjeve si pasojë e remitancave më të ulëta, me rënien e eksporteve dhe me vështirësi në kreditim. Gjatë tre muajve të fundit ka pasur tendencë të fortë rënëse në volumin e tregtisë së jashtme, ku sektori i veshjeve dhe këpucëve është goditur më rëndë. Sipas ekspertëve, eksportet shqiptare janë në varësi të shëndetit të ekonomisë italiane, ku shkon pjesa dërrmuese e eksporteve shqiptare dhe ku punojnë 300 mijë shqiptarë. Vetë italianët parashikojnë rënien e importeve të veta me gati një të tretën, gjë që do të thotë se do të importojnë më pak mallra nga ne.

Debati për krizën

Një pjesë e shoqatave të biznesit po ankohen me forcë në lidhje me pasojat e krizës financiare botërore në ekonominë shqiptare, ndërkohë që disa shoqata të tjera kanë mbajtur një pozicion neutral dhe në disa raste, janë shprehur optimiste për ecurinë e ekonomisë gjatë këtij viti. Shoqata e Eksportuesve të Veshjeve dhe Këpucëve, si dhe Shoqata e Ndërtuesve kanë qenë më kritike kundrejt qeverisë, ndërkohë që dhomat e tregtisë janë shprehur optimiste. Qeveria ka reaguar duke thënë se ankuesit bazohen mbi fakte të pavërteta dhe se disa përfaqësues biznesi po përhapin panik në vend. Herën e fundit, ministri i Financave, Ridvan Bode, u përball me sindikalistë dhe biznesmenë në Këshillin Kombëtar të Punës: "Ju jeni si kukulla ruse. Flisni të gjithë njësoj", u shpreh Bode në atë rast. "Është paniku që ju po përhapni ai që sjell krizë, jo qeveria", vijoi ai.

Shumë ekspertë besojnë se nuk ka asgjë të gabuar në optimizmin e qeverisë mbi ecurinë e ekonomisë dhe se optimizmi në vetvete është një masë antikrizë. Por nuk mendon kështu Shoqata e Ndërtuesve, grupimi që është prekur më rëndë nga kriza. "Përballë një realiteti të tillë shqetësues e aspak premtues, çdo shfaqje euforie do të tingëllonte pa kuptim, prandaj ne kërkojmë me forcë nga qeveria që të bëjë ç‘është e mundur për të amortizuar sa më shumë valën goditëse të krizës globale financiare dhe ekonomike, në ekonominë tonë të brishtë", deklaroi Shoqata e Ndërtuesve pak javë më parë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›