E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interesat e kredive në euro dhe dollarë, në minimum

Interesat e kredive në lekë u rritën duke shënuar një rekord disavjeçar, ndërkohë që kreditë në euro dhe në dollarë u bënë shumë më të lira. Lajmi bëhet i ditur nga të dhënat e publikuara së fundmi nga Shoqata Shqiptare e Bankave. Interesi i kredisë afatshkurtër në euro ra në 8.13 për qind nga 8.73 për qind që ishte në janar, ndërkohë që interesi i kredive afatgjata (mbi pesë vjet) ra në 6.77 për qind. Një vit më parë, kreditë afatgjata në euro kushtonin mbi 8 për qind.

Por, pavarësisht tendencës së përgjithshme në rënie, kreditë për blerje pronash në euro u shtrenjtuan gjatë shkurtit. Ato i kushtuan shqiptarëve mesatarisht 6.51 për qind nga 5.76 për qind që patën kushtuar në janar, kryesisht për shkak se bankat dëshirojnë t‘i largohen kreditimit të sektorit të ndërtimit, pasi presin rënie të mundshme çmimesh të pronave. Edhe kredia në dollarë për prona të paluajtshme u shtrenjtua nga 2.7 për qind në janar, në 3.7 për qind në shkurt. Megjithatë, në krahasim me shkurtin e vitit 2008, pra një vit më parë, kreditë për prona të paluajtshme në euro dhe në dollarë kushtonin 7 për qind. Interesat e kredive në dollarë nuk mund të merren si referencë për shkak se kreditimi në monedhën amerikane është një fenomen shumë i rrallë në Shqipëri.

Interesat e kredive kanë pasur ecuri të kundërt për kreditë në lekë. Gjatë muajve të fundit, interesat e lekut janë rritur, pa marrë parasysh politikën e Bankës së Shqipërisë për ulje. Analiza të ndryshme kanë dëshmuar se norma bazë e interesit që përcaktohet nga Banka e Shqipërisë ka shumë pak ose aspak ndikim në interesat e kredive dhe depozitave në lekë. Këto të fundit përcaktohen më së shumti nga oreksi i qeverisë për huamarrje të brendshme. Kur kërkesa e qeverisë për borxhe rritet, edhe leku shtrenjtohet, gjë që ka ndodhur gjatë muajve të fundit. Të dhënat nga sektori i kreditimit tregojnë gjithashtu tkurrje të fortë të kredive për shtëpi. Gjatë shkurtit të këtij viti, bankat dhanë vetëm 10 milionë euro kredi për blerje shtëpish nga individët, me rënie 60 për qind kundrejt shkurtit 2008.

Sektori i ndërtimit, i cili prej vitesh siguron pjesën dërrmuese të të ardhurave përmes shitjeve me kredi, duket se po vuan rëndë nga pakësimi drastik i kreditimit të individëve që dëshirojnë të blejnë një apartament. Sipas të dhënave të Shoqatës së Ndërtuesve, mijëra apartamente kanë mbetur pa shitur. Mungesa e shitjeve nuk është reflektuar në të njëjtën masë në uljen e çmimeve, kryesisht për shkak se shumë kompani ndërtimi shpresojnë se kriza do të mbarojë shpejt dhe ekonomia do të rigjallërohet. Fuqia blerëse e shqiptarëve është goditur rëndë nga humbja e vendeve të punës mes emigrantëve që punojnë në Greqi e Itali, por kjo gjë nuk ka prekur ende kursimet. Gjatë shkurtit, kursimet e individëve vijuan të rriten. Gj. Erebara


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›