E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi privat, i rrezikuar nga falimentimi

Biznesi fierak i rrezikuar. Vetëm brenda gjashtë muajve të parë të vitit, janë detyruar të mbyllin aktivitetin 98 subjekte private. Pjesa më e madhe e tyre, janë biznese të vogla, të cilat kanë deklaruar mbylljen për shkak të falimentit. Ndërkohë që nëse u referohemi statistikave, gjatë gjithë vitit të kaluar janë detyruar të shpallin faliment vetëm 86 subjekte private. Nga përllogaritjet që paraqet dega e Tatim-Taksave të Bashkisë së Fierit, del se raporti mes subjekteve të mbyllura dhe atyre të hapura, një vit më parë, ka qenë 1 me 3, kurse vetëm gjashtëmujorin e parë të 2009-ës ky raport ka shkuar në 1 me 1. Pra, nga muaji janar deri në fund të qershorit, ndërsa është hapur një biznes, një tjetër ka deklaruar mbylljen e tij.

"Gjatë kësaj periudhe të parë të vitit janë mbyllur 98 subjekte të biznesit të vogël. Krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është mjaft e konsiderueshme si shifër. Në qoftë se gjatë gjithë vitit 2008 janë mbyllur 86 subjekte të biznesit të vogël, sivjet vetëm për gjysmën e periudhës është regjistruar shifra e afro 100 bizneseve të mbyllura. Kjo shifër krijon raportin 1 me 1.2, ndërkohë që vitin e shkuar nëse një subjekt mbyllej hapeshin tre të tjerë. Sigurisht që kjo situatë është efekt i krizës që po kalojnë subjektet për të kryer aktivitetin e tyre normalisht", ka thënë Fadil Tare, kreu i zyrës së tatimeve në Bashkinë e Fierit.

Më tej ai pohon se kjo situatë ka të bëjë me rënien ekonomike në tërësi të familjeve fierake, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt dhe kushtëzojnë biznesin që llogarit rënie të fuqisë blerëse.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›