E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesmeni Hetem Ramadani, një çmim Emi për gazetarët shqiptarë

Tiranë, 13 nëntor 20:50 NOA - Biznesmeni dhe filantropi i shquar Hetem Ramadani, lëshon bumin e radhës!

I ftuari i spektaklit të Vera Grabockës “Dua më shumë Shqipërinë”, si një nga shqiptarët më të suksesshëm në botë, lëshoi nga kjo skenë prestigjioze lajmin se edhe media shqiptare do të ketë piedestalin e vet.

Në çdo fund viti, Fondacioni “Salbatring” që z. Ramadani ka themeluar, do të akordojë “çmimet Emi” siç i quajti drejtuesja e programit, për gazetarët dhe personazhet më të shquara të vitit në Televizion dhe Median e shkruar.

Vlerësimi për secilin nga fituesit është mjaft i konsiderueshëm, ai kap vlerën e 10,000 euro për çdo çmim!

Ky lajm shënon të parën përpjekje serioze në vlerësimin e krijimtarisë në një fushë me mjaft influencë në shoqërinë shqiptare.

Hetem Ramadani u bë famshëm në Shqipëri në sajë të kontributeve të tij të paprecedenta filantropike.

Në fillim z. Ramadani kontribuoi me 100,000 Euro për të dëmtuarit e tragjedisë së Gërdecit dhe vazhdojnë me 150,000 Euro për 15 artistët më të shquar në vite.

Këto shuma përfaqësojnë në vetvete një kontribut të jashtëzakonshëm por Ramadani preferoi t’i quajë “vetëm një skonto të vogël nga kontoja emocionale që këta artistë depozituan në vite në zemrën e tij”.

Për dimensionin e tij të jashtëzakonshëm human dhe arritjet e pakrahasueshme në fushën e biznesit, Hetem Ramadani u dekorua nga Presidenti i Republikës me Medaljen Ambasador i Kombit.

m.e/NOA

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›