E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesmeni i Uniformave, rrëzohet kërkesa për kurim jashtë

Kërkoi në gjykatë leje për t'u kuruar në Turqi, për shkak se vuan nga një sëmundje e enëve të gjakut


TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, rrëzoi kërkesën e avokatit të biznesmenit Ilir Sulo, për lejimin e daljes jashtë Shqipërisë për arsye kurimi për pesë ditë, pasi pretendon se vuan nga sëmundja e enëve të gjakut. Gjyqtarja Elona Gjoka, e cila shqyrtoi kërkesën e firmosur nga i dyshuari 38- vjeçar Sulo, me objekt "dhënie autorizimi për lejim udhëtimi të përkohshëm" drejt Turqisë për pesë ditë kurim. Pas dëgjimit të pretendimeve të palëve, avokatit dhe prokurorit, gjyqtarja Gjoka vendosi rrëzimin e kërkesës, duke lënë në fuqi vendimin e masës së sigurisë dhënë nga Gjykata e Apelit atë të "arrestit shtëpiak" për 38- vjeçarin nga Elbasani.


Biznesmeni Sulo akuzohet për "korrupsion aktiv të personave, që ushtrojnë funksione publike", në bashkëpunim me gjashtë persona të tjerë. Të akuzuarit janë tre zyrtarë shtetërorë dhe tre biznesmenë të cilët paracaktuan tenderin e uniformave të Ministrisë së Brendshme me vlerë 1.2 milionë euro. Sipas kërkesës së avokatit, Sulo vuante nga një sëmundje e enëve të gjakut, që shoqërohet me marrje mendsh, humbje të ekuilibrit dhe probleme të tjera sekondare. Për kurimin e sëmundjes, avokatët e tij kërkuan që gjykata ta lejojë Sulon të udhëtojë drejt një klinike private në Turqi, për të kryer një vizitë më të specializuar mjekësore. "Si prova, i dyshuari Sulo paraqiti një rekomandim nga mjekja patologe, Qendra Shëndetësore nr. 1, Elbasan.


Motivi i rekomandimit, sëmundja "Bilatertal ALT", si dhe nje raport i përkthyer nga turqishtja, i pa noterizuar, faks, nga Dr.Mine Erguven, firmosur dhe vulosur, me përmbajtje se Sulo duhet të kryejë detyrimisht kontrollin në spitalin turk"- thuhet në vendimin e Gjokës. Prokurori Julian Xhengo, kërkoi rrëzimin e kërkesës, për shkak se ai mund të kurohet sipas tij në klinikat vendase. Pasi dëgjoi palët, gjykata rrëzoi kërkesën, duke çmuar se kërkesa e tij është e paargumentuar. Me 21 dhjetor 2009, gjykata vendosi në mungesë masën e sigurisë "arrest me burg" për Sulon dhe më 2010 ai u arrestua në Bullgari për llogari të drejtësisë shqiptare.


Sipas akuzës, Sulo në bashkëpunim me tre tregtarët Agur Sadiku, Artan Berberi dhe Jani Gjergjefi, kishte paguar 120 mijë euro për të përfituar nga Bujar Murati, ish-drejtor i Prokurimeve Publike pranë Ministrisë së Brendshme, Tahir Imami, ish-shef i Prokurimeve Publike pranë Gardës së Republikës, Redi Popesku ish-specialist në Ministrinë e Integrimit tenderin e uniformave të policisë me vlerë 1.2 milionë euro.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›