E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e pacientit, familjarët akuza mjekëve

Pjesëtarë të grupit të mjekëve që do ndërhynin tek pacienti Beçi pohojnë se vdekja e tij nuk iu la kohë atyre për operacion

Edmond Beçi, mësohet se vuante nga probleme të frymëmarrjes dhe ishtë dërguar me urgjencë nga familja në spital


TIRANË- Një ditë pas vdekjes së pacientit Edmond Beçi, në pavion ORL, në qendrën Spitalore "Nënë Tereza", (QSUT), familjarët e ij vazhdojnë t'i qëndrojnë pretendimit se mjekët janë treguar neglizhentë për mjekimin e tij. Të kundërtën pretendojnë burime ORL-së në QSUT, pranë këtij pavioni, ku kishte mbërritur me urgjencë pacienti Beçi, për shkak të problemeve në frymëmarrje. Burime nga Qendra Spitalore "Nënë Tereza", pohuan dje se vdekja e Edmond Beçit, me banim në Tiranë ka qenë e menjëhershme dhe nuk ka pasur asnjë mundësi kohore për të ndërhyrë për ta shpëtuar. Të afërmit e viktimës, sapo janë njoftuar që Beçi ka ndërruar jetë, nga mjekët e klinikës që njihet gjërësisht si "Spitalit francez", pjesë e kompleksit të QSUT-së, kanë lajmëruar policinë. Uniformat blu, janë njoftuar për të hetuar për rrethanat e vdekjes së 51- vjeçarit me banim në Tufinë, duke pretenduar se ka pasur mjekim të pakujdesshëm dhe neglizhencë nga ana e mjekëve.


Edmond Beçi kur është dërguar në spital gjatë ditës së premte, nuk ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është nisur për në spitalin Francez për të bërë një ndërhyrje për grykën. Ai ka shkuar në spital bashkë me disa të afërm të tij dhe më pas mjekët janë bërë gati që t'i bëjnë një ndërhyrje 51- vjeçarit, por që gjatë orëve të pasdites së të premtes, Beçi ka ndërruar jetë. Por familjarët janë irrituar nga lajmi i humbjes së të afërmit të tyre dhe fillimisht kanë nisur të grinden me mjekët për të sqaruar rrethanat e vdekjes. Po ditën e premte, të afërmit e Edmond Beçit kanë njoftuar policinë, për të hetuar për rastin e vdekjes. Në spitalin Francez kanë mbërritur forcat e policisë së Komisariatit nr. 4, të cilët kanë marrë në pyetje familjarët e viktimës. Ndërkohë, në pyetje është marrë edhe mjekja që ka mbajtur nën vëzhgim 51- vjeçarin Beçi. Pritet që ekspertët mjeko- ligjorë të kryejnë autopsinë e viktimës, për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes së tij.


Dëshmitë kanë qenë të kundërta, ku mjekët kanë pretenduar se viktima ka mbërritur në gjendje të rëndë dhe nuk ka pasur asnjë mundësi që të mbijetonte. Por të kundërtën kanë pretenduar para policisë familjarët, të cilët kanë pohuar se Beçi nuk ka pasur ndonjë sëmundje të rëndë, që të ndërronte jetë në një kohë kaq të shkurtër. Pas vdekjes, trupi i pa jetë i Edmond Beçit u dërgua në morg, ku është kryer edhe ekspertiza mjeko-ligjore. Dje rreth orës 13.00, trupi i viktimës është tërhequr nga morgu, për t'u kryer ceremonia mortore. Edmond Beçi, ka punuar para vitëve 90- të si oficer dhe para shumë vitesh kishte dalë në reformë. Ai bashkë me familjen, bashkëshorten dhe nënën e tij jetonte, në një banesë private në Tufinë, në rrugën "Myslym Keta". Dje rreth orës 15.00, Beçi u përcoll për në banesën e fundit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›