Biznesmeni qëllohet me 4 plumba, dyshohet hakmarrje e vjetër
Një atentat me armë zjarri tek zona e Liqenit në Tiranë, ka tronditur dhe njëkohësisht ka përhapur panik për të gjithë qytetarët që kishin dalë në kodrat e liqenit mbrëmjen e djeshme. Ngjarja ndodhi (rreth orës 20:05) në një lokal tek Kodrat e Liqenit Artificial, ndërkohë që personi i plagosur e që ndodhet në gjendje kritike për jetën është Lulzim Koka nga Berati. Koka mësohet të jetë biznesmen dhe drejtori i një firme betoni në kryeqytet njëkohësisht edhe aksioner në një prej qendrave tregtare më të mëdha në kryeqytet. Nga të shtënat është plagosur edhe një punonjës i gardës por që ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sipas të dhënave në vitin 2001 këtij personi i është vrarë në një atentat edhe njëri prej vëllezërve të tij dhe për këtë ngjarje janë arrestuar në atë kohë tre persona si autorët e vrasjes. Lidhur me këto detaje mendohet se biznesmeni mund të jetë vrarë edhe për ndonjë hakmarrje të mundshme ndërkohë që dyshohen si pista të vrasjes edhe konkurrenca apo probleme me bizneset që kishte në pronësi Lulzim Koka. Sipas dëshmitarëve të parë që kanë dëshmuar në polici, dyshohet se autori një person rreth 25-vjeç ka shfrytëzuar momentin kur shtetasi Lulëzim Koka qëndronte i ulur vetëm në një bar kafe pranë zonës së Gardës së Republikës. Pasi ka shtënë me 4 plumba pistolete mbi biznesmenin, sipas dëshmitarëve okular autori është larguar në këmbë në drejtim të Kodrave të Liqenit. Ndërkohë i plagosur lehtë dyshohet se ka mbetur edhe një punonjës i gardës. Biznesmeni është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak, ku bluzat e bardha bëjnë me dije se ai ndodhet në gjendje kritike për jetën. Dëshmitarët kanë rrëfyer se autori mbante veshur tuta sportive, bluzë ngjyrë të kuqe dhe atlete të bardha. Vrasja ka ngjallur panik tek qytetarët e shumtë që vizitojnë këtë zonë. Strukturat e policisë si dhe të krimeve të rënda janë vënë në lëvizje për kapjen e autorit, ndërkohë që janë ngritur patrulla në zonën e Selitës, Petrelës dhe Saukut. Efektivat blu kanë nisur marrjen në pyetje të dëshmitarëve okularë, punonjësve të lokalit ku ndodhi ngjarja si dhe bashkëpunëtorëve më të afërm të biznesmenit. Pista kryesore e hetimit lidhet me punën dhe mosmarrëveshjet që i plagosuri mund të ketë për shkak të punës që kryente dhe statusit të tij.