E Diel, 1 Nëntor 2026

Bjellorusi, Lukashenko nuk fal dy autorët e sulmit në metro

Presidenti i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, ka refuzuar të falë dy personat e dënuar me vdekje, në lidhje me sulmet në metronë e Minskut, të cilat, prillin e kaluar, vranë 15 persona.

Televizioni shtetëror ka cituar deklaratën e zyrës së Lukashenkos, duke thënë se “presidenti ka vendosur të mos falë Dimitri Konovaloun dhe Ulladisllav Kavaloun”.

Nuk është bërë ende e qartë se kur është caktuar ekzekutimi i dy personave.

Hetimi i shpejtë dhe mungesa e paraqitjes së motiveve gjatë gjykimit të dy 25-vjeçarëve, punonjës të fabrikës, kanë shkaktuar akuza se bombardimi ka qenë komplot i shërbimeve të sigurisë për të justifikuar goditjen kundër armiqve politikë të Lukashenkos.

Lukashenko, i cili u rizgjodh në postin e presidentit në zgjedhjet e kontestueshme të dhjetorit 2010, ka thënë se sulmet ishin përpjekje për të destabilizuar vendin nga armiq të panjohur të shtetit.

Organizatat për të drejtat e njeriut i kanë kërkuar Bjellorusisë të mos i kryejë ekzekutimet.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›