E Diel, 1 Nëntor 2026

A mund të shpëtojë gjenetika Izraelin?

Duke shikuar nga përtej Atlantikut, Izraeli duket të jetë një shtet liberal dhe modern Perëndimor, por një shtet me një barrë të ëndë mbi supet e veta, problemin palestinez. Përderisa nuk e vizitoni Izraelin, nuk e shihni konfliktin e dytë, i cili është po aq shkatërrimtar për Izraelin, e që është konflikti për karakterin religjioz të vendit. Tani shkencëtarët janë kthyer kah gjenetika dhe po shtrojnë pyetjen se a mundet gjenetika të ndihmojë në zgjidhjen e çështjes së identitetit, e cila po e mundon Izraelin.

Herzliya, një qytet bregdetar rreth 20 kilometra në veri të Tel Avivit, po përjeton një bum të vërtetë të ndërtimeve-hotele të mëdha dhe vila të shtrenjta në rrugën kryesore. Herzliya ka marrë emrin prej Theodor Herzl, vizionarit sionist nga shekulli i 19-të, ëndrra e të cilit për vendosjen e hebrenjve në Tokën e Shenjtë u realizua.

Duke shikuar nga përtej Atlantikut, Izraeli duket të jetë një shtet liberal dhe modern Perëndimor, por një shtet me një barrë të ëndë mbi supet e veta, problemin palestinez. Përderisa nuk e vizitoni Izraelin, nuk e shihni konfliktin e dytë, i cili është po aq shkatërrimtar për Izraelin, e që është konflikti për karakterin religjioz të vendit.

Pyetja thelbësore është se kush në të vërtetë është hebre? Kjo çështje po imponohet nga e djathta religjioze, e cila asnjë herë më parë nuk ka qenë më e fuqishme se sot. Për shembull, të gjithë banorët e ri të Izraelit duhet të dëshmojnë se janë hebre, në mënyrë që të kenë mundësi të martohen. Prandaj çështja se kush kualifikohet si hebre, e kush jo, mund të definojë jo vetëm identitetin e vendit, por edhe ardhmërinë demografike të Izraelit. A është një person hebre për shkak të gjakut, apo për shkak të kulturës? A duhet identiteti hebre të ndjekë shtegun e rrënjëve biologjike, apo hebraizmi mund të pranohet, vetëm duke e ushtruar religjionin?

Në qershor të vitit të kaluar, me dhjetëra ekspertë të gjenetikës nga Izraeli dhe SHBA-ja u tubuan në Hotelin Dan Accadia, në Herzliya, për të diskutuar zbulimet më të reja për ADN-në e popullatës botërore, por vëmendja shumë shpejt u kufizua vetëm në ADN-në e hebrenjve. ADN-ja e hebrenjve, me gjurmët e veta të migracionit antik dhe të sëmundjeve të rralla, si sëmundja Tay Sachs, ishte materiali për të cilin shkencëtarët kishin më së shumti njohuri.

Ditën e dytë të takimit, pjesëmarrësit u larguan nga shkenca, për të pyetur se a mundet gjenetika të ndihmojë në zgjidhjen e çështjes së identitetit, e cila po e mundon Izraelin.

Njëri nga organizatorët e Konferencës, Karl Skorecki, theksoi se takimi devijoi nga tema për dy ditë me radhë. “Besoj se hebraizmi është metafizik, kulturor dhe nuk ka lidhje me ADN”, theksoi ai.

“Por disa të tjerë”, shtoi ai, “si politikanë, gazetarë, gjenetikolog dhe profesorë te teatrit francez, kërcyen para neve shkencëtarëve”.

Me termin “teatër francez”, Skorecki e kishte fjalën për Shlomo Sandin, një profesor i historisë bashkëkohore. Sand nuk ishte i pranishëm në takim, por veprat e tij megjithatë u prezantuan në Konferencë. Ai është autor i librit “Shpikja e Popullit Hebre”, i cili ka qenë bestseller në Francë dhe Izrael dhe kaq shkaktuar kundërthënie në SHBA.

Nga njëra anë, Sand pajtohet me pjesën më të madhe të shkencëtarëve se hebraizmi është një konstrukt kulturor, e jo biologjik. Në anën tjetër, ai sulmoi “mitin” e lidhjeve të gjakut të Izraelit me themeluesit Biblik dhe vuri në dyshim zbulimet e fundit gjenetike, se hebrenjtë kanë origjinën nga Lindja e Mesme.

Sipas ligjit për kthim, çdo hebre në botë mund të kërkojë nënshtetësinë e Izraelit. Megjithatë, nëse një imigrant dëshiron të martohet, ai mund të përballet me vështirësi. Në Izrael nuk ka martesa civile, ky institucion kontrollohet nga një autoritet religjioz, Rabinati. Sipas ligjeve antike hebrenje, nëna e aplikuesit për martesë duhet të jetë hebrenje apo aplikuesi duhet të dëshmojë se është konvertuar në një ceremoni të rregullt në hebre.

Nëse nuk janë në gjendje të dëshmojnë se janë hebre, aplikuesit mund të martohen jashtë vendit, e më pas shteti e njeh martesën.

Doron Lancet, një ekspert izraelit për gjenetikën e hebrenjve, thotë se Izraeli është vendi i vetëm në botë, i cili interesohet për atë se kush është hebre. “Në shtetet tjera, nëse deklarohesh hebre, mund të përballesh me telashe. Vetëm në Izrael nga ne kërkohet që të dëshmojmë se jemi hebre”, theksoi Lancet.

“Ky është një debat qesharak”, thotë Ephrat Levy-Lahad, një hulumtuese izraelite e kancerit në gji.

“Le të kryej ADN-ja funksionin e saj brenda qelizës. Fakti se ne nuk po jemi në gjendje që të zgjidhim çështjet tona sociale dhe historike, nuk do të thotë se në këtë lojë duhet të fusim edhe gjenetikën”, insiston ajo.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›