Serbia diskuton sot për zgjedhjet në Kosovë

Kryetari i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Lubomir Kragoviç, ka planifikuar për sot seancën, në të cilën do të diskutohet për zgjedhjet lokale në Kosovë.
Kragoviç u ka thënë mediave serbe se në takim është ftuar edhe kryetarja e Parlamentit, Sllavica Gjukiç Dejanoviç, si dhe ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç.
Dejanoviç shpalli të martën zgjedhjet lokale në të gjitha komunat dhe qytetet, ku pushtetit lokal i ka kaluar mandati, përfshirë dhe komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Autoritetet kosovare kundërshtojnë fuqishëm mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës. Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se paralajmërimi për mbajtjen e tyre është provokim i konfliktit të ri, që “do të kishte pasoja për gjithë rajonin”.
Kundër zgjedhjeve të shtetit serb në Republikën e Kosovës është shprehur edhe komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.