Bjerrja e moralit, një sëmundje, së cilës duhet t’ia gjejmë ilaçin
Shqiptari është një popull i jashtëzakonshëm, por do të më pëlqente shumë të ishte një popull i normal. Ka ca simptoma që shprehin se po keqbëhemi moralisht. Thuajse disa herë në veprimet publike ngjajmë sikur jemi shartuar me dreqin. Shumëkush njëherë në jetën e tij në Shqipëri ka reflektuar se “të jesh shqiptar i ndershëm sot është shumë e vështirë”. Kështu po më thoshte një këshilltar i një personaliteti të politikës shqiptare. E vërtetë, gjithandej njësoj është, iu përgjigja. Më tej vijonte se ka diçka që të infekton në këtë amulli që quhet politikëbërje edhe po të mos i jepesh asaj sëpata e mosbesimit do të të presë kokën. Dihet i thashë, peshku qelbet nga koka - e thotë edhe populli. “Atij popullit nuk i besojmë shumë”, ma ktheu. Hëpërhë të sillesh me respekt simbas ligjit të komunitetit dhe bonsensin të tij është bërë një vetasgjësim
Shoqëror që shumëkush e ka provuar. Një shqiptar i mirë e i ndershëm sot po të sillet simbas të gjitha rregullave do të ishte kusurmadh.
Shpesh ilegaliteti mbizotëron mbi legalitetin tek individi bash kjo e fundit, pra legaliteti, ndihet i pafuqishëm për ta mbajtur njeriun në udhën e zotit dhe drejtësinë e njeriut. Në një shoqëri ku mbizotëron synimi e zhvatjes njeriu nxjerr në pah e amplifikon vesin e tij për të mbijetuar. Edhe me pa-drejtësi veç me mbijetue. Kuptohet vetiu pse ndershmëria e pastër sot konsiderohet një ves i madh e i lig për administratorët e pushtetit lokal e qendror.
Por kjo s’na intereson shumë apo na intereson? Siç duhet ta dini, ndershmëria mund të praktikohet, por vetëm fshehtas, me kujdes e pa bujë. Prandaj mund të themi se nuk është e vërtetë, në mënyrë absolute, se në Shqipëri nuk ka drejtësi. Ka një lloj drejtësie por është e vërtetë se atë nuk duhet t’ia kërkosh gjykatësit apo prokurorit, por sidomos deputetit, apo kurdomos Ministrit, sipërherë gazetarit, kurdoherë atij avokatit me miq shumë etj. etj. Edhe mund të gjendet e vërteta, por adresa mund të jetë e gabuar.
***
Dikush andej nga periferia e Tiranës ka parë një emision fshehtas në satelit dhe më tha, “se është një mendim sot ndër dijetarët më zë të Oksidentit se po kalojmë një holokaust shoqëror me një mungesë vlerash”, idealesh domethënëse. Ndërgjegjja është atrofizuar nga etja për pushtet, sepse pushteti është komandim dhe komandimi në një shoqëri ku kulti i të fortit është gjithçka, ahere asgjë s’mund ta ndalojë shqiptarin për pak pushtet. Pushteti rrënon atë që s’e ka. Pushteti sjell parà dhe paràja sot ka marrë kryesimin e dëshirave të çdo shqiptari, të çdo oksidentali. Kulti i sotëm i parasë të kujton atë fabulën e mbretin Mida që çdo gjë që prekte e kthente në ar, por Midës iu desh uria me kuptue se ari s’ishte gjithçka. Ne kemi uri por jo për bukë, por për parà. Se paratë kur rregullat nuk funksionojnë zgjidhin shumë halle.
Mjafton të pish një kafe, përshembull, me një kryefamiljar të jashtë Tiranës me kuptue nëpër fjalët e tij se ka halle e telashe të mëdha mbi kokë, që i kanë rënë shumë fatkeqësi, hallemadh. Thotë se me kërkue një shërbim që i jepet me ligj duhet ta marrë me parà. Përse ndodh kjo? Ndodh sepse shumë vetë e konsiderojnë vendin e punës në administratë shtetërore si një lopë ku mund të milet më shumë se zakonisht. Shumë palë mund të pyesin a ka një shpjegim për këtë gjendje pezmatimi shoqëror? Përse jemi katandisur si laskarë në një vend ku mundësitë me përparue kanë qenë të shumta. Mjaftonte vetëm imitimi i botëkuptimeve të idealeve qenësore të fqinjëve tanë për t’u larguar nga harrakatja jonë çobanore.
Pezmatimi i shpirtit dhe vetëasgjësimi vjen nga karakteri dramatik i shqiptarit, i themeldalë nga një histori e shtrembëruar. Gjithherë të detyruar të gënjejmë mbi veten dhe të kaluarën tonë, të shtrënguar të harrojmë ose të kujtojmë në mënyrë selektive, shqiptarët kanë kaluar në një vetëpërbuzje masive, për ta kthyer shqiptarin kolektiv të zënë ngushtë me parehatinë e tij karakteristike në çdo njeri që provon për vetveten.