Tre vite pa Rugovën - Presidentin e parë e historik të Kosovës
Nju-Jork: Akademi perkujtimore kushtuar trevjetorit të vdekjes së presidentit Rugova
Në praninë e shumë mërgimtarëve, të shtunën pasdite në njërin prej mjediseve të lokalit "Eastwood Manor", në Bronx - Nju Jork, nën kryesinë e Degës së LDD - Lidhjes Demokratike të Dardanisë, për treshteshin, u mbajt një akademi përkujtimore me rastin e trevjetorit, të vdekjes së dr. Ibrahim Rugovës. Në këtë akademi përkujtimore morën pjesë disa nga përfaqësuesit e shtetit shqiptar në SHBA, si zv/vendës-ambasdori Kreshnik Çollaku, sekretari i dytë i misionit shqiptar në OKB, Andi Xhoi, konsulli i Shqipërisë, dr. Albert Jerasi, si dhe krerët e disa shoqatave e organizatave shqiptaro - amerikane, afaristë, intelektualë, studentë, nxënës shkollash, shkrimtarë, poetë, politikanë e liderë fetar. Mori pjesë edhe deputeti shqiptar i Preshevës (Kosova Lindore), zoti Riza Halimi. Akademinë perkujtimore e drejtoi zoti Shkumbin Teta. “Rugova do të jetë përherë emër i lakuar në vjersha fëmijësh, temë hartimi në bangat e nxënësve, provim studentësh në shkallën më të lartë të kritikës moderne letrare, theksoi ai ne fjalen e hapjes. Do të mbetet përherë kuvend në oda burrash, filozofi, në trajtime shkencore. strategji në veprime politike e diplomatike. Arkitekt i ndërtimit të urave me popujt e botës. Epokë ne faqet e lavdishme të historisë shqipëtare e botërore. Do të jetë përherë lëvizja, pavarësia- liria e vendit, përmendore në ar do të jetë përherë I. Rugova shqiptar. Fjalën kryesore e mbajti kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Dardanisë, për Nju-Jork e rrethe, zoti Agim Rexhaj. “Presidenti Rugova ishte personaliteti i cili me veprimet e urta, të matura e të guximshme, hapi shtigje për sendërtim të idealeve të qytetarëve të Kosovës, për shtetin dhe sovranitetin e Kosovës, theksoi ai. Ishte njeriu e udhëheqësi, i cili me jetën e me veprën e tij, me frymën e tij atdhetare, mbolli, kultivoi, zhvilloi dhe e shpuri në prag të realizimit të plotë pavarësinë e Kosovës dhe ai, si i tillë, mbetet në shpirtin e në mendjet tona, burim i pashterrshëm i frymëzimit, i përkushtimit atdhetar, i vendosmërisë dhe i vizionit historik”. Në emër të shtetit shqiptar, folën në këtë akademi edhe përfaqësuesit e saj në SHBA, zotërinjtë Çollaku, Xhoi e Jerasi. Më pas, në akademinë përkujtimore e morën fjalën edhe nënkryetari i Federatës PanShqiptare të Amerikës VATRA, dr. Gjon Buçaj, si dhe deputeti Riza Halimi. Sali Lajqi - në emër të degës së LDK-së për Nju Jork e rrethina e përshëndeti këtë tubim përkujtimor të organizuar nga dega e LDD-së. Lekë Gojcaj-mik i ish-pres I. Rugova dhe veprimtar i komunitetit e ka vlerësuar Rugovën, si një figurë të paarritshme dhe si një dhuratë nga Zoti, që i erdhi Kosovës, në kohën kur i duhesh asaj më shumë se kurrë. Ibrahim Kolari, kryetari i Shoqatës Atdhetare Dibrane, ka kujtuar se 21 janari i vitit 2006, kur ndërroi jetë Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, ishte lajmi më i pikëllueshëm për gjithë shqiptarët, kudo që ishin. “Mbase ka diçka mitike në këtë botë, thotë qysh në fillim të fjalës së saj Lumi Hadri - veprimtare e komunitetit (vajza e akademik Ali Hadri), sepse muaji janar është muaji më i kobshëm dhe më krenar për ne shqiptarët. Ky është muaji i përkujtimeve dhe homazheve për Gjergj Kastriotin - Skëderbeun, Isa Boletinin, Jusuf Gërvallën, Enver Malokun, Ibrahim Rugovën, Zekeria Canën e varganin e atdhetarëve tjerë të cilët me krenari i kujtojmë dhe i nderojmë”. Në akademinë përkujtimore kushtuar Ibrahim Rugovës folën edhe Hakik Mean, kryetar i degës së Partisë Lëvizja e Legalitetit, shkrimtari Naum Prifti dhe poetja Rita Salihu.