E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungon informimi i grave mbi sëmundjen

Autori i Lajmit: red.
“Ministria e Shëndetësisë i ka kushtuar një rëndësi të veçantë parandalimit të kancereve tek gratë, ndërkohë që vlerëson se duhet bërë më shumë, kryesisht në drejtim të informimit dhe ndërgjegjësimit të vetë grave dhe vajzave. Në vitin 2008 është bërë mjaft për parandalimin e kancerit të gjirit, për të cilin janë zgjeruar teknologjitë për depistimin e hershëm", - informoi të hënën ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, gjatë Konferencës së parë për sensibilizmin për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës. "Është një premtim i MSH, në bashkëpunim me partnerët e saj, UNFPA dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë, që ky vit dhe 2 vitet më tej, të jenë vitet kur ne do të thellohemi në perfeksionimin e depistimit të hershëm të kancerit të qafës së mitrës", - tha ministrja Godo. Duke u ndalur tek strategjia e MSH, Godo tha se "një nga orientimet kryesore është ngritja dhe përmirësimi i programeve efektive të kancerit cervikal dhe kjo në përputhje me rekomandimet e organizmave evropiane që merren me këtë patologji dhe udhëzuesit evropianë për depistimin e këtij tumori". Sipas saj, orientim i rëndësishëm është mbështetja e edukimit shëndetësor të grave. "Çdo grua duhet të jetë e mirinformuar për shëndetin e saj, të jetë aktore e gjallë e luftës kundër këtij tumori, për depistimin e hershëm të tij", - tha ministrja Godo, duke shtuar se "çdo grua duhet të dijë sesi të shfrytëzojë mirë atë që i ofron shërbimi shëndetësor". Ajo shtoi se "duke qenë gruaja shumë kërkuese në atë që bën për veten e saj, kjo do të jetë dhe një shtytje për MSH dhe qeverinë për të perfeksionuar programet efektive për depistimin e kancereve të gruas". Një tjetër orientim i strategjisë është përftimi sa më maksimal nga ekspertiza më e mirë botërore dhe evropiane për prevenimin e kancerit të gruas. "Të mbështesim studimet dhe kërkimet shkencore që synojnë ndriçimin e fakteve të reja shkencore, në lidhje me metodat e reja të depistimit", - tha ministrja e Shëndetësisë.

Incidenca
Evropë, 250 mijë gra vdesin çdo vit
Sipas të dhënave, në Shqipëri, ky lloj kanceri ka një incidencë prej 4.1 për 100 000 banorë. Ai përbën 51.2 % të rasteve me tumore malinje që prekin aparatin gjenital femëror. Ndërkohë, vihet re një tendencë e dyfishimit të të prekurve nga kjo sëmundje pas vitit 1993. Shumë problematik mbetet fakti që shumica e rasteve diagnostikohen në stade të avancuara të sëmundjes, të tretin ose të katërtin, ku rreziku për jetën është jashtëzakonisht i madh. Bazuar në të dhënat e OBSH-së, në botë çdo 2 minuta një femër vdes nga kanceri i qafës së mitrës, ndërsa në Evropë kjo ndodh në çdo 18 minuta. Çdo vit në Evropë të paktën 500 mijë femra zhvillojnë kancer të qafës së mitrës dhe 250 mijë prej tyre vdesin prej tij. Megjithatë shumica e femrave kanë një nivel njohjeje shumë të ulët të kësaj sëmundjeje dhe mënyrën se si infektohesh prej saj. "Të kuptosh çfarë është kanceri i qafës së mitrës, si shkaktohet ai dhe si të mbrohesh kundrejt tij është një nga hapat e parë në parandalimin e sëmundjes", konsideron MSH. Sipas të dhënave, kanceri i qafës së mitrës është tumori i dytë më i shpeshtë tek gratë mbas atij të gjirit. Ky kancer shkaktohet nga një virus i zakonshëm i quajtur human papillomavirus (HPV). MSH vlerëson se "komunikimi interaktiv ndërmjet miqve, familjes dhe mjekëve do të luajë një rol të rëndësishëm në ndërgjegjësimin e popullatës për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës". Java evropiane për sensibilimin për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës synon të rrisë njohuritë mbi parandalimin e kësaj sëmundjeje për të gjitha femrat, si dhe të mbështesë krijimin e programeve të efektshme parandaluese në të gjithë Evropën. Simbolika e luftës kundër kësaj sëmundjeje është perla, e cila është simboli i zgjuarsisë dhe i maturisë. Gjithashtu, perla konsiderohet dhe si një simbol femëror. Deri tani, simboli është përkrahur dhe janë ngritur programe për parandalimin në rajon, si në Serbi, Kroaci dhe Bullgari.
Ky lajm është publikuar: 20/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›