E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pornthip Rojanasunan, zëri i viktimave

Është ekspertja e mjekësisë ligjore më e famshmja e Tajlandës. Guximtare në punë dhe në mënyrën e të veshurit, nuk ka frikë të kundërshtojë policët e korruptuar për të hedhur dritë mbi problemet e saj

Pak njerëz në Tajlandë guxojnë ta sfidojnë policinë, por falë njohjeve të saj në mjekësinë ligjore, Pornthip Rojanasunan ka arritur t‘u çjerrë maskën disa policëve të korruptuar, duke u bërë kështu ikonë kombëtare. Rojanasunan nuk është vetëm funksionarja publike më e famshme e vendit, por edhe një shkrimtare e suksesshme shumë e pëlqyer nga mediat dhe bota e modës.

Pornthip është drejtoresha e përgjithshme e Institutit Qendror të Shkencave Mjeko-Ligjore. Shumë herë me punën e saj ka vënë në dukje moskoherencën në akuzat formale të policisë. Kështu që nuk duhet të habiteni, kur shumë policë flasin keq për të dhe institutin e saj. "Disa policë nuk mund të mësohen me idenë që në Tajlandë ekziston një institucion i tillë. Nuk duan ndërhyrje, por ajo çka është më kryesorja, nuk dëshirojnë që të kontrollohen", pohon Pornthip. "Shpesh, funksionarët e lartë të policisë u bëjnë shantazh edhe policëve që u kundërvihen atyre për të marrë më shumë vota".

Duke qenë se është një budiste e devotshme, Pornthip shfaqet shpesh në televizor dhe gazeta, ku flet shumë hapur për korrupsionin e policisë, padrejtësitë dhe mosrespektimin e të drejtave të njeriut në vend. Rëndësia e punës së saj është njohur edhe nga mbreti Bhumibol Adulyadej, që në 2003-shin i dha titullin "Khunying", një dekoratë e lartë që u rezervohet femrave.

Librat e Pornthip Rojanasunan, një mori volumesh mbi botën e krimit dhe mbi budizmin, gjenden në të gjitha libraritë e vendit. Stili i saj të bie në sy menjëherë: flokët i ka të shkurtra, të ngritura lart dhe me dy ngjyra, lejla e të verdhë. Ajo vetë e cilëson këtë stil si "punk & rock". "Të vishem sipas modës më ndihmon të punoj më mirë, të arrij më parë në objektivin tim. Nëse jam e përqendruar te pamja ime, arrij të jap më shumë", tregon ajo, ndërsa qëndron ulur mbi një kolltuk të zi. Ka veshur një fund të zi të ngushtë "Cop Copine" dhe një bluzë të zezë të markës "2026". Më parë këto marka rrobash ishin të panjohura në Tajlandë, deri atëherë kur revistat e modës filluan të ndiqnin ndryshimet e saj në pamjen e jashtme, ashtu siç bënin gazetat kur flisnin për luftën kundër paligjshmërisë.

Pak nga pak Pornthip Rojanasunan po bëhej shumë e famshme në statistikat kriminale. Më 1976-ën një takim shumë i afërt me policinë rrezikoi të ishte fatal, ashtu siç u ka ndodhur shumë bashkëkombësve të saj, të cilët janë zhdukur në vitet ‘70. "Më akuzonin se bashkëpunoja me komunistët", thotë Pornthip, por ajo nuk është marrë kurrë me çështjet politike.

Si togeri Kolomb

Pas diplomimit, Pornthip zgjodhi të specializohej, sepse nuk dëshironte të bëhej mjeke e përgjithshme në fshatrat më të humbur të Tajlandës. Ishte Hollivudi ai që i solli në mendje një ide gjeniale. "Telefilmi im i preferuar ishte ai i togerit Kolomb. Që aty mori jetë dëshira për mjekësinë ligjore".

Në vitet ‘80 ka jetuar në veri të Tajlandës. Rasti i parë i rëndësishëm u shënua në vitin 1998: në atë kohë ajo jepte mjekësi ligjore në Bangkok - ku sot jeton me bashkëshortin dhe vajzën - dhe parapritur njëra prej studenteve të saj u zhduk. "Mendova menjëherë se mund ta kishin vrarë", tregon ajo në zyrën e saj në Bangkok. "Ishte nxënëse e mirë dhe nuk kishte probleme parash ose me familjen. Pas dy javësh policia mori në pyetje të dashurin e saj. Ai pohoi se e kishte vrarë në një dhomë hoteli, ia kishte bërë trupin copa-copa dhe e kishte hedhur në ujë".

Pasi dëgjoi dëshminë, policia vendosi ta mbyllte çështjen. Por Pornthip kishte ende dyshime, sepse nuk gjendeshin gjurmë gjaku në vendngjarje. Pas shumë kërkimeve vajzës iu gjetën eshtrat. "Mjeku ligjor i policisë përcaktoi se kafka i përkiste një burri. Ndërsa unë isha e bindur se i përkiste një gruaje, madje ishte e studentes sime. Në fund, falë ndërhyrjes sime, djali rrëfeu se e kishte vrarë në shtëpinë e tij. Që në atë moment filloi konflikti im me policinë".

Ishte hera e parë që dikush në Tajlandë, falë teknikave mjeko-ligjore, zgjidhte një vrasje kaq makabër, duke treguar se policia gabonte. Një vit më vonë, policia hetoi mbi vdekjen e politikanit Hangthong Thammawattana dhe doli në përfundime se ishte vetëvrarë. "Por unë nuk isha dakord", shpjegon Pornthip. "Pozicioni i trupit dhe gjurmët e gjakut nuk përputheshin me një vetëvrasje. Këtë e konfirmuan edhe disa mjekë ligjorë që vinin nga Britania e Madhe dhe Danimarka". Dhjetë vjet më vonë, çështja, që lidhet me një pasuri të madhe, është ende e pazgjidhur dhe vëllai i Hangthong është akuzuar për vrasje.

Ndjenja e drejtësisë së Pornthip dhe lufta e saj në favor të të drejtave të njeriut kanë shtyrë shumë njerëz të dëshpëruar t‘i kërkojnë ndihmë. Mes tyre, edhe familja e një burri të vrarë nga policia, sepse sipas agjentëve ishte përpjekur të shtypte me kamion disa policë. Familjarët i kërkuan ndihmë Pornthip shtatë vjet pas mbylljes së çështjes, sepse kishin lexuar një prej librave të saj. "Autopsia konfirmonte se plaga e bërë me armë zjarri shkonte nga e djathta në të majtë dhe jo nga pjesa e përparme në qafë. Në tregimin e policisë drejtimi i kamionit nuk përputhej me gjuajtjen e pistoletës. Përreth plagës u gjetën mbetje pluhuri të plumbit, gjë që ndodh vetëm kur të shtënat vijnë nga një distancë e vogël, rreth 40 centimetra", kujton Porthnip.

Policia i përgënjeshtroi rezultatet dhe përgjegjësit u arrestuan. Me hetimet e saj, Pornthip po bënte shumë armiq, por në të njëjtën kohë po fitonte mirënjohjen e tajlandezëve.

Problemi i fondeve

Instituti Qendror i Shkencave Mjeko-Ligjore u hap në vitin 2002 falë një ligji të ri që parashikonte një kontroll më të madh të burokracisë. "Në atë periudhë sekretari i përhershëm i Ministrisë së Drejtësisë ishte kunati i ish-kryeministrit Thaksin Shinawatra. Pra, pengesa kishte gjithandej", pohon Pornthip. Fillimisht u emërua zëvendësdrejtoreshë e institutit dhe më pas, në 2008-ën mori pozicionin e drejtoreshës.

Fondet janë një tjetër problem i madh. Shumë agjenci të qeverisë tajlandeze mbikëqyrin bilancet duke kërkuar shkurtime. "Çdo vit kemi vështirësi me buxhetin. Politikanët thonë se nuk ka para, por për të korruptuar njerëzit, paratë nuk mungojnë kurrë", thotë Pornthip.

Në institut punojnë pesë mjekë ligjorë dhe shumë të tjerë do të punësohen gjatë pesë viteve në vazhdim. Disa të tjerë punojnë në polici. Pornthip është e bindur se Tajlanda ka nevojë për 140 mjekë ligjorë të tjerë.

Në pjesën më të madhe të kohës merret me rastet e ndodhura në jug të vendit, ku pakicat etnike malay janë ngritur në revoltë, edhe për shkak të abuzimeve të vazhdueshme të kryera nga policia dhe ushtria.

"Projekti im i fundit do të jetë krijimi i një instituti për personat e zhdukur. Nuk dua që kufomat të mbeten pa një emër. Nuk do të dorëzohem kurrë. Budizmi dhe ndjenja e detyrës për të gjetur shpirtrat e vdekur më japin forcë për të vazhduar përpara".

Biografia

Pornthip Rojanasunan lindi në Tajlandë më 21 dhjetor të vitit 1955. Më 1973-shin studioi për Mjekësi në Bangkok. Në vitin 1979 u specializua në Mjekësinë Ligjore në Pitsanulok, në veri të Tajlandës. Në vitet 2004-‘05 u mor me njohjen e kufomave të viktimave të cunamit. Në 2008-ën u bë drejtoreshë e Institutit Qendror të Shkencave Mjeko-Ligjore. Më 2009-ën, një artikull i saj u publikua në revistën mujore britanike "Monocle"


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›