E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blair justifikon luftën në Irak

Ish-kryeministri i Britanisë, Tony Blair, pranoi dje se Saddam Husseini nuk është bërë një rrezik më i madh pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, por shtoi se këto sulme kanë ndryshuar në mënyrë dramatike perceptimin e tij për terroristët, të cilët synojnë të sigurojnë armë për shkatërrim masiv.

Blair deklaroi para Komisionit të Britanisë për hetimin e luftës në Irak se vendimi i tij në vitin 2003, për të mbështetur invadimin e SHBA-së, është inspiruar nga frika prej sulmeve të reja dhe edhe më të mëdha terroriste.

“Nuk është që Saddami ka bërë diç më tepër, por kishte ndryshuar perceptimi ynë për rrezikun. Po të kishin pasur mundësi këta njerëz, të inspiruar nga fanatizmi religjioz, që të vrasin 30 mijë njerëz, ata do ta kishin bërë këtë. Që nga ai momenti, duhej t’i dërgohej porosia Iranit, Libisë, Koresë së Veriut, Irakut. Synimi im kryesor ishte që të dërgohet porosia e qartë pas 11 shtatorit, se nëse jeni regjime të angazhuara në armë të shkatërrimit në masë, ju duhet të ndaleni”, tha Blair.

I ulur në qendrën për konferenca në Londër, Blair në dukje të parë i tendosur, ju përgjigj pyetjeve të anëtarëve të Komisionit për luftën në Irak, të formuar me urdhrin e qeverisë, për të hetuar makinacionet prapa skenës që nga viti 2001, e deri në vitin 2003, kur Britania mori vendimin për t’iu bashkuar luftës në Irak.

Blair u pyet për akuzat se qeveria e tij ka qenë aq e vendosur për të përmbysur Saddamin, sa që ka stërsmadhuar përmbajtjen e raporteve të inteligjencës për kinse armët për shkatërrim masiv të Irakut. Ai gjithashtu u pyet për atë se kur saktësisht ja ka ofruar George Bushit përkrahjen për invadimin në Irak.

Ish-ambasadori i Britanisë në Washington, Cristopher Meyer, ka theksuar se marrëveshja mes Blairit dhe Bushit duket se është arritur në rënçin e Bushit në Texas, në prill të vitit 2002.

“Premtimi i vetëm që kam bërë në Texas ka qenë premtimi për t’u përballur me Saddamin. I thashë Bushit se do të jem pranë tij gjatë përballjes me këtë kërcënim”, tha Blair.

Ai më tutje theksoi se udhëheqësit tjerë nuk ishin të një mendimi me të dhe Bushin.

“Edhe përkundër faktit se mënyra amerikane e të menduarit kishte ndryshuar dukshëm pas 11 shtatorit-e thënë sinqerisht edhe mënyra ime e të menduarit-kur bisedoja me udhëheqësit tjerë, në veçanti në Europë, nuk e kisha të njëjtën përshtypje”, theksoi Blair.

Në qendrën e konferencave në Londër, në audiencën e tubuar për të përcjellë këtë seancë, ishin edhe anëtarët e familjeve të ushtarëve apo civilëve të vrarë në Irak.

Dëshmia e Blairit u shoqërua me protesta. Përderisa Blair po dëshmonte, protestuesit para qendrës lexuan me zë emrat e civilëve dhe ushtarëve të vrarë në Irak.

“Populli irakian për çdo ditë po duhet të jetojë me agresion, përçarje dhe krime. Blair nuk duhet të jetë këtu për të justifikuar këtë luftë ilegale, ai duhet të dërgohet në Hagë, për t’u përballur me akuzat për krime, të cilat i ka kryer kundër popullit irakian”, tha protestuesja Saba Jaivad, një irakiane e cila ka kundërshtuar luftën.

Blair pranoi se vendimi i tij për t’iu bashkuar luftës ka hasur në rezistencë edhe në kabinetin e tij.

“Ka pasur mjaft njerëz, të cilët më kanë sfiduar në lidhje me këtë vendim”, tha Blair.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›