Klerikët iranianë kërkojnë ekzekutimin e opozitarëve
Një klerik i fuqishëm iranian ka bërë sot thirrje për ekzekutimin e një numri më të madh të aktivistëve të opozitës, me qëllim që të heshten protestat antiqeveritare, duke lavdëruar varjen e dy personave një ditë më herët, të cilët ishin arrestuar dhe dënuar me vdekje, për shkak të pjesëmarrjes në protestat kundër regjimit.
Ajatollah Ahmad Jannati theksoi se vala e protestave nëpër rrugë, të cilat shpërthyen pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale, në qershor të vitit të kaluar, nuk do të kishte zgjatë deri me tani, po të ishin ekzekutuar protestuesit më herët.
“Kemi vuajtur për shkak të dobësisë. Sa njerëz janë ekzekutuar më 9 korrik?”, tha Jannati, duke ju referuar protestës së madhe që u zhvillua atë ditë.
“Dëshmuam dobësi, e më pas përjetuam protestat në ditën e Ashureve. Nëse dëshmoni dobësi tani, ardhmëria do të jetë edhe më e keqe. Nuk ka hapësirë për mëshirë islamike”, shtoi ai.
Sistemi i drejtësisë në Iran ka shtuar numrin e dënimeve me vdekje, në momentin kur kreu i vendit ka intensifikuar fushatën për të eliminuar sfidat nga ana e lëvizjes pro-reformatore opozitare. Autoritetet kumtuan të enjten se nëntë persona, të akuzuar për pjesëmarrje në protesta, janë dënuar me vdekje.
Dy persona e ekzekutuar të enjten ishin arrestuar para zgjedhjeve të 12 qershorit, nën akuzat se kanë qenë pjesëtarë të një grupi të armatosur, i cili ka synuar përmbysjen e regjimit.
Jannati falënderoi shefin e sistemit të drejtësisë, Sadeq Larijanin, për ekzekutimin e së enjtes dhe bëri thirrje për një numër më të madh të ekzekutimeve.
Ithtarët e vijës së fortë në Iran kanë bërë thirrje edhe për gjykimin dhe ekzekutimin e udhëheqësve të opozitës në Iran, përfshirë këtu edhe Mir Mousavin, ish-presidentin reformator të Iranit, Mohammad Khatamin dhe ish-kryetarin e parlamentit, Mahdi Karroubin.