Talebanët ende pa vendim ndaj ofertës së Karzait për biseda
Udhëheqësit talebanë do të vendosin së shpejti për atë se a do të hynë në negociata me qeverinë e Afganistanit, ka theksuar sot një zëdhënës i militantëve, pasi që presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, i ftoi ata që të përfshihen në këshillin e paqes, i cili ka për qëllim që t’i jep fund luftës në Afganistan.
Në jug të Afganistanit, sulmues vetëvrasës ndërmorën sulme në kryeqytetin e provincës Helmand, e pati edhe përleshje të armatosura mes militantëve dhe forcave afgane dhe atyre të NATO-s.
Të enjten, në Konferencën për Afganistanin, e cila u zhvillua në Londër, Karzai shpalosi kornizat për dialog me udhëheqësit talebanë, pasi që ju bëri thirrje atyre që të përfshihen në Këshillin e paqes, me qëllim të inicimit të negociatave paqësore.
Sipas propozimit të Karzait, Perëndimi nuk do të ishte i përfshirë drejtpërsëdrejti në negociatat paqësore. Plani tjetër, i mbështetur nga SHBA-ja dhe aleatet e saj, parasheh krijimin e një fondi, me të cilin do të ndihmohej ri-integrimi i luftëtarëve talebanë, duke i bindur ata që të largohen nga kryengritja, duke ju ofruar punësim dhe para.
Një zëdhënës i talebanëve në Afganistan nuk pranoi të flet detajisht për planet e Karzait dhe theksoi se militantët së shpejti do të marrin një vendim në lidhje me ofertën e tij.
“Nuk mund të them asnjë fjalë për këto biseda paqësore. Kreu i talebanëve së shpejti do të vendosë për atë se a do të marrë pjesë”, tha Mohammad Yousuf.