Blanc kritikon shortin

Selektori Laurent Blanc kritikoi përjashtimin e Francës nga bartësit kryesorë të Evropës për shortin e fushatës kualifikuese për Kampionatin botëror 2014, pasi ata përfunduan në të njëjtin grup me kampionin aktual, Spanjën.
Franca, fitues i Kampionatit botëror 1998 dhe finalist më 2006, ishte në mesin e tetë ekipeve në vazon e dytë, ndërsa përveç Spanjës do të takohen edhe me Bjellorusinë, Gjeorgjinë dhe Finlandën në Grupin I.
FIFA e bën renditjen e saj në bazë të plasmanit botëror, ku Franca gjendet në vendin e 10-të në mesin e shteteve evropiane. Fakti se ishin në vazon 2, nënkupton se vetëm fituesit e grupeve sigurojnë kualifikimin e drejtpërdrejtë, andaj, sipas parashikimeve, njëra mes Spanjës dhe Francës duhet të sigurojë pjesëmarrjen në Botërorin 2014 nëpërmjet dy ndeshjeve të barazhit.
“Nuk e di pse Franca është në vazon e dytë, pse Greqia, Norvegjia dhe Kroacia janë më lart në renditje”, tha Blanc pas shortit të tërhequr në Rio de Janeiro.
“Ne u desh të jemi në një grup me ekipet më të forta dhe u tërhoqëm me më të madhin, Spanjën. Ne u desh të ishim në vazon e parë, por duhet të ballafaqohemi me ekipin më të mirë nga Kampionati botëror i kaluar. Në fund të fundit nuk kemi zgjidhje tjetër”, shtoi ai.
Ish qendërmbrojtësi i Trekolorëve ka parashikuar fushatë të vështirë kualifikuese. “Kualifikimet janë gjithmonë të rrezikshme, Bjellorusia mori katër pikë”, tha Blanc për ekipin nga Evropa lindore, me të cilin Franca gjendet në grupin kualifikues për Euro 2012 dhe i befasoi ata 1-0 në Paris në shtator, para barazimit 1-1 në Minsk muajin e kaluar.
Megjithatë, Blanc u mundua të nxjerrë shenja pozitive që skuadra e tij është në njërin prej nëntë grupeve evropiane, që ka pesë në vend të gjashtë ekipeve.
“Nëse fokusoheni vetëm te Spanja, do të thoshit ‘është e parealizueshme, është grup shumë i vështirë’, por ekipi i parë kualifikohet si dhe ekipi i dytë më i mirë. Nuk është disavantazh të jeni të dytët, logjika do të thoshte se do të zinim pozitën e dytë në mesin e pesë ekipeve. Janë dy ndeshje më pak. Në kalendar kjo mund të ketë rëndësinë e saj”, u shpreh Blanc, duke iu referuar këndvështrimit rreth formës fizike të futbollistëve.
“Futbollistët më të mirë ndërkombëtarë luajnë në klubet më të mira, andaj ata luajnë edhe në garat evropiane”, theksoi Blanc. Ai pret duele të jashtëzakonshme kundër rivalit të vjetër, Spanjës.
“Do të jenë ndeshje të bukura sepse takimi me më të mirët është gjithmonë i jashtëzakonshëm”, përfundoi Blanc. Homologu i tij, Vicente del Bosque, nuk mori pjesë në short. Fushata kualifikuese fillon më 7 shtator 2012 deri më 15 tetor 2013.