Eto‘o, kërkesë nga tifozët: Shënoji dy gola Juventusit
Me pamje të qetë sikur të ishte në ditët më të mira dhe pa asnjë presion. Në këtë mënyrë, Samuel Eto‘o shfaqet përpara supersfidës së të shtunës në Serinë A, ku Interi luan me Juventusin. Sulmuesi kamerunas qesh, pavarësisht se vjen pas dy paraqitjeve të dobëta kundër Barcelonës në Champions dhe përballë Fiorentinës: madje me fanellën zikaltër ai nuk ka shënuar as në aktivitetin më prestigjioz për klube në Europë dhe as në ndeshjet jashtë fushe në kampionat. "Shënoji dy gola Juventusit", ishte thirrja e disa tifozëve pas përfundimit të seancës stërvitore. Edhe në këtë rast, Eto‘o ndaloi për të dhënë autografe dhe për të bërë fotografi me mbështetësit e Interit. Por, në momentin kur dëgjoi kërkesën, sulmuesi buzëqeshi dhe ngriti gishtin e madh të dorës, duke treguar se e mori mesazhin dhe se do të bënte maksimumin që t‘i kënaqte tifozët. Dhimbjet në këmbën e djathtë nuk janë zhdukur plotësisht dhe nuk e lejojnë që të jetë në formën optimale, megjithatë, situata është përmirësuar dukshëm. Sfida me Juventusin është shansi i tij për t‘u zhbllokuar psikologjikisht. Ndërkohë, në këtë përballje pritet të mungojë holandezi Shnajder. Në rolin e organizatorit, pas dy sulmuesve, Murinjo pritet të aktivizojë Stankoviç.