E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhani shkarkon Laçin te Partizani



Jetmir Halilaj

Në gjuhën e futbollit, lëvizja e Xhanit do të quhej gol me kundërsulm. Aksionari kryesor i klubit të Partizanit ka shkarkuar Paro Laçin nga funksionet e administratorit të përgjithshëm dhe rrjedhimisht nga funksionet e përfaqësuesit ligjor të klubit. Vendimi është marrë disa ditë më parë dhe ndryshimi është pasqyruar edhe në QKR (Qendrën e Regjistrimit të Bizneseve). Në këtë mënyrë, Xhani ka rimarrë pozitat e mëparshme në klub, sepse tashmë figuron si president dhe njëkohësisht si administrator i përgjithshëm i klubit Partizani.
Lëvizja
Albert Xhani ka pohuar se një lëvizje e tillë është bërë pas përplasjeve të shumta me aksionarin tjetër Paro Laçin, por është treguar i kujdesshëm në deklaratat e tij. “Besoj është e qartë se për çfarë është bërë kjo lëvizje. Gjithsesi, unë vlerësoj aksionarin tjetër dhe mendoj se ai duhet të qëndrojë deri në fund të kontratës që ka bërë me klubin, pasi ka dhënë një kontribut që duhet vlerësuar dhe unë këtë nuk mund ta mohoj. Sa për të tjerat, mendoj se tani gjithçka është e qartë dhe dihet se kush i vendos rregullat dhe se kush ka të drejtën që të përfaqësojë ligjërisht klubin”, ka thënë Xhani për “Panorama Sport”.
Lëvizjet
Nuk do të ketë asnjë ndryshim në staf, të paktën për momentin. Këtë e ka thënë shprehimisht Xhani. “Nuk kam ndërmend të bëj asnjë lëvizje në ekip apo në staf. Skuadra po funksionon mirë dhe nuk kam asnjë ankesë. Përkundrazi, duhet të falënderoj gjithë ekipin dhe stafin për punën që kanë bërë. E theksoj, asnjëherë nuk do të ketë asnjë lëvizje, përfshi këtu edhe shefin e klubit, Bujar Labinotin. Të gjithë kanë kontribut”, ka shtuar Xhani.
Paratë
Një çështje delikate te klubi kryeqytetas mbeten paratë. Nëse skuadra u zhyt në krizë dhe përfundoi në Kategorinë e Parë, kjo ndodhi edhe për shkak të mungesës së financimit. Në të ardhmen ky mund të shndërrohet sërish në problem, nëse Albert Xhani dhe Paro Laçi nuk do të gjejnë gjuhën e përbashkët mes tyre, gjë që zor se do të ndodhë. Presidenti i klubit të Partizanit, ka thënë se skuadra do të financohet nga Paro Laçi, ashtu sikundër është edhe kontrata me aksionarin që zotëron 40 për qind të aksioneve. “Klubi do të vazhdojë të financohet nga aksionari tjetër (Paro Laçi), - është shprehur Xhani. – Sipas kontratës që kemi me të, ai duhet të vazhdojë të financojë edhe për një vit e gjysmë. Kjo është e shkruar e zezë mbi të bardhë. Mendoj se kemi ende shanse për të bashkëpunuar sipas parametrave, ose minimalisht të respektojmë kontratën që kemi bërë. Në rast të kundërt, atëherë do t’iu drejtohemi organeve kompetente që ta zgjidhin këtë gjë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›