Blater: Botërori do të luhet në verë
Josef Blater, presidenti i FIFA-s, theksoi se Botërori i vitit 2022 në Katar do të zhvillohet në verë dhe jo në dimër siç kërkonte Komiteti Ekzekutiv i organizmit drejtues të futbollit. “Për momentin nuk po diskutohet më për këtë çështje. Gjithçka është përgatitur për në verë dhe 64 ndeshjet e botërorit të vitit 2022 do të luhen në Katar”, u shpreh Blater për BBC. Blater shpjegoi se një delegacion nga vendi arab e kishte vizituar në Zyrih për t’i shprehur gadishmërinë e zhvillimit të botërorit në verë. Zvicerani kishte deklaruar më parë se Botërori i Katarit mund të zhvillohej në janar për shkak të temperaturave shumë të larta të vendit mikpritësit gjatë muajve të verës. Në muajt qershor dhe korrik, kur zhvillohet faza finale e botërorëve, temperaturat në Katar i kalojnë 40ºC. Në favor të zhvillimit të Kupës së Botës 2022 në dimër kanë qenë edhe Franz Bekenbauer, Mishel Platini dhe FIFPro (Federata Ndërkombëtare e Futbollistëve Profesionistë).