E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salihi: Sllovenia, perfekte para Bjellorusisë!

Sulmuesi i kombëtares kuqezi dhe i Rapidit të Vjenës, Hamdi Salihi po kalon një periudhë vërtet të mirë. Ka shënuar rregullisht me fanellën kuqezi, ndërsa me skuadrën e tij është i papërmbajtshëm në miqësoret e fillimsezonit. Shkodrani u përgjigjet të gjitha pyetjeve që kanë të bëjnë si me Shqipërinë ashtu edhe me Rapidin, pasi në të dyja rastet, ai është në qendër të vëmendjes. Sipas Salihit, Sllovenia është miqësorja perfekte, ndërsa në fund të sezonit ai mund ta mendojë seriozisht kalimin në një skuadër tjetër.

Salihi, a është Sllovenia miqësorja perfekte para Bjellorusisë?

Ne nuk kemi luksin që të zhvillojmë shumë ndeshje të tilla me ekipe që kanë marrë pjesë në Kupën e Botës. Është mqiësore që duhet vlerësuar shumë. Lojtarët, si në planin individual ashtu edhe në grup, do të kërkojnë të shfaqin më të mirën pa pasur presionin në një repart të veçantë. Mbrojtja, mesfusha edhe sulmi do të kërkojnë të bëjnë paraqitjen e një grupi solid. Për ne është e rëndësishme vazhdimësia e lojërave dhe rezultateve e vitit 2010.

Vitin e kaluar kombëtarja ka arritur të kthejë rezultate. Besoni se mund ta bëni diçka të tillë ende?

Kjo është ajo që thashë. Pozitive është se jemi shfaqur si grup kompakt në të gjitha repartet. Jemi përpjekur për të shënuar kur kemi qenë në disanvantazh dhe jemi përpjekur për të mbrojtur rezultatin kur kemi qenë në avntazh. Kjo ka qenë arma kryesore. Tani e rëndësishme është vazhdimësia, të përqëndrohemi te gjërat e mira dhe të riparojmë defektet.

A mendoni se për dyshen Salihi-Bogdani, mungon presioni në kombëtare pasi nuk ka konkurrencë?

Konkurrenca është e mirë për ekipin. Trajneri duhet ta shfrytëzojë diçka të tillë nëse ka shumë lojtarë cilësorë. Si unë, Bogdani e Kapllani, kemi qenë lojtarë që për momentin kemi kaluar formën më të mirë, por kjo nuk do të thotë se nuk ka lojtarë të tjerë. Kombëtarja është diçka e përkohëshme. Shfrytëzohet ai lojtar që po kalon formën më të mirë dhe trajneri mendon se ata që ka thirrur janjë në formë më të mirë.

Trajneri Kuzhe ka thënë se do thërrasë lojtarët më të mirë për të marrë rezultatin pozitiv që të ndikojë pozitivisht në moralin e skuadrës. Por nëse humbasim?

Unë nuk dua që ta mendoj humbjen si katastrofë dhe ogur të keq për ndeshjen eliminatore të marsit. Rezultatet miqësore të kaluara kanë krijuar një frymë të mirë për ndeshjet eliminatore të sezonit të shkuar.

Dihet që metri i një sulmuesi është goli. Me skuadrën tuaj jeni mirë. Premtoni diçka për tifozët?

Goli nuk është diçka që e ke ti në dorë. Thjesht mund t’u premtoj tifozëve kuqezi dhe fansave të mi se do të bëj më të mirën dhe të mos kursej asgjë për kombëtaren.

A mund të përmirësohet 2010 juaj?

Nuk ka asgjë në jetë që të mos përmirësohet. Secili bën më të mirën dhe kërkon më shumë. E rëndësishme për mua është vazhdimësia dhe më pas të kërkosh të bësh gjëra më të mira sesa ke bërë.

A është ky momenti më i mirë i karrierës suaj?

Karriera ime ka shkuar në ngjitje dhe gjithnjë kam qenë shumë i kënaqur për ato që kam përjetuar në çdo ekip. Për momentin është vazhdimësia e mirë e asaj që kam nisur shumë herët dhe shpreosj që të qëndroj kështu shumë gjatë.

Rapidi nuk ju ka futur titular në miqësoret e fundit…

Nuk është e vërtetë. Jemi më shumë se 25 lojtarë dhe kemi luajtur të gjithë nga 45 minuta. E rëndësishme është që kam luajtur mirë në ato minuta që më janë dhënë.

Mund të ndryshoni skuadër në fund të sezonit?

Nuk e di. Do të kërkoj të bëj më të mirën këtu ku jam, pastaj të shohim.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›