E Shtunë, 31 Tetor 2026

Morati: Është bukur kur ndjek, tani pres Juven

SHKRUAN: Jeton Selimi 08-02-2011 11:40

Një ditë pas fishekzjarrëve të “San Siro”-s, Masimo Morati konfirmon se po argëtohet me Interin e rilindur të Leonardos. “Të dielën në mbrëmje jemi argëtuar, ka qenë një ndeshje e bukur. Besoj se tifozët janë të kënaqur, mbase kemi vuajtur disi në fund të takimit, por kjo ndihmon në rritjen e pasionit ndaj futbollit”. Presidenti zikaltër duket se ndjehet mirë edhe në rolin e ndjekësit: “Po, është një ndjesi e re, por mbase edhe më argëtuese. Besoj se për tifozët është diçka e bukur përjetimi i këtij rikuperimi. Sidoqoftë, ky është një kampionat shumë i gjallë që fatmirësisht kemi nisur ta përqafojmë si pjesëmarrje të vërtetë. Sidoqoftë të shohim, tani është ende herët…”

Drejt Juventusit

Etapa e radhës kalon në Torino dhe është sfida me Juventusin. “Inter-Juve ose Juve-Inter janë gjithnjë ndeshje të rëndësishme, gjithnjë me tension. E rëndësishme është që gjithçka të na shkojë vaj në aspektin e qetësisë dhe të sportit. E dimë – ka ngacmuar Morati – që është një ndeshje e rëndësishme për ata dhe për ne. Nëse është ende derbi i Italisë pas Calciopoli-t? Sigurisht, ka qenë gjithnjë dhe kështu do të jetë”. Morati, më pas, nuk shprehet aspak i befasuar nga starti i mirë në stol i trajnerit brazilian. “Moment thelbësor i sezonit zikaltër? Çdo muaj flitet për këtë moment. Besoj se është gjithnjë e rëndësishme, nuk mund të humbasësh pikë në disa momente dhe t’i rikuperosh më pas. Duhet të kërkosh që të marrësh gjithnjë maksimumin, ky është një moment me të vërtetë i rëndësishëm sepse në mes është Champions League. Nisjen me sprint? Po, e prisja”.

Zhulio Sezar

“Është futur në rrugën e duhur”. Pardje në mbrëmje Morati i kishte bërë komplimenta veçanërisht Zhulio Sezarit. Dje, portieri brazilian ka komentuar fitoren e Interit. I pyetur në Malpensa, teksa po merrte avionin për t’iu bashkuar kombëtares së tij, ai u përgjigj: “Jam shumë i lumtur që po rikthehem me Brazilin për këtë miqësore. Shpresoj që të bëj mirë edhe me fanellën jeshilartë. Jemi të lumtur për atë që po ndodh që kur ka ardhur Leonardo. Kemi marrë rrugën e duhur, duhet të vijojmë në këtë drejtim. Pacini, Karzha e Nagatomo kanë qenë blerje të rëndësishme nëse gjykojmë paraqitjet e tyre që kur kanë ardhur në klub. Po luajnë të gjithë mirë. Çfarë ndryshon mes Leonardos dhe Benitezit? Nuk më pëlqen të bëj krahasime. Leo është një personazh i ri në punën tonë, mund të rritet akoma shumë. Është inteligjent dhe i uroj shumë fat në këtë detyrë të re që ka zgjedhur”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›