E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duro: Lasku dobët? Unë jam në formë!

Klodian Duro e di mjaft mirë se kjo miqësore nuk është thjesht miqësore. Në listën e përpiluar nga trajneri Kuzhe, bëjnë pjesë emrat e lojtarëve më në formë, çka do të thotë se ai që luan vërtet mirë, e ka në xhep një ftesë për ndeshjen e marsit kundër Bjellorusisë. “Në radhë të parë është kënaqësi të jesh në grumbullime të kombëtares. Edhe ne, duke filluar që nga dje, mendojmë që do ta përgatisim maksimalisht këtë ndeshje. Duke pasur parasysh atë mbyllje të mirë që i bëmë vitit 2010, mendoj që edhe në vitin 2011 të bëjmë një nisje të mirë. Përballë kemi një ekip që ka qenë në Kupën e Botës. Një test shumë i mirë përpara Bjellorusisë. Mendoj se të gjithë se bashku duhet ta përgatisim sa më mirë lëtë ndeshje. Që përveç lojës së mirë, ta bashkangjasim edhe më një rezultat pozitiv, gjë që do të ishte mirë edhe për moralin e ekipit për ndeshjen e marsit. Ne me Slloveninë kemi qenë në një grup dhe kemi dalë dy herë barazim. Kësaj radhe është e rëndësishme që të shohim formën e lojtarëve, por edhe rezultati është i nevojshëm për moralin,” ka vënë në dukje fantazisti që luan në radhët e skuadrës austriake të Lask Linz. Më pas, Duro, thekson se nuk është ai që do të zëvendësojë Skelën në kombëtare, por se është i gatshëm të bëjë atë që do t’i kërkojë trajneri. “Unë e përgatis ndeshjen që të jap gjithçka për fanellën e ekipit kombëtar, sic kam bërë nga ndeshja e parë. Sa për lojtarët dhe vendosjen në fushë, e vendos trajneri,” përgjigjet disi i bezdisur Duro, por që në fund të fundit e ka të qartë se duhet të jetë një “ushtar” i bindur. Në fund të prononcimit të tij në konferencën për shtyp, Duro tregon edhe situatën e tij në klubin austriak të Laskut, duke dashur të theksojë se pavarësisht situatës jo të mirë që po kalon klubi i tij, ai mbetet në superformë. “Nuk ndikon fare gjendja e ekipit me formën time si në klub ashtu edhe në kombëtare, pasi çdo ekip ka problemet e veta. Unë jam maksimumin tim dhe këtë do ta tregoj,” përfundon deklaratën e tij mesfushori elbasanlli i kuqezinjve, Klodian Duro.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›