Epiqendra e Barcelonës quhet Lionel Mesi
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola e ka lavdëruar yllin Lionel Mesi, i cili shënoi tre gola, në fitoren ndaj Atletio Madridit, të shtunën mbrëma. Sulmuesi argjentinas e udhëhoqi gjigantin katalanas drejt fitores së 16-të rresht në La Liga këtë sezon. Fitorja i mundësoi Barcelonës që ta thyejë rekordin e 15 fitoreve radhazi, të cilin e mbante Real Madrid në sezonin 1960-1961. “Ne nuk do të ishim këta që jemi pa Mesin”, ka thënë Guardiola. “Pa të, ne do të ishim ekip i mirë, por ai e bën diferencën. Të gjitha klubet e mëdha në histori të tyre kanë lojtarë që janë ndryshe dhe Mesi është njëri nga ata. Ai e vendos vetë lojën”, vazhdoi trajneri spanjoll. Mesi ishte modest pas ndeshjes, përkundër faktit se ky tregolësh e ngriti atë përkohësisht në vendin e parë të listës së golashënuesve. “Kjo më intereson pak. Gjëja më interesante është që ta vazhdojmë rrugën tonë dhe të punojmë fort, sepse Real Madrid do të jetë gjithmonë gati, për t’i shfrytëzuar gabimet tona”, deklaroi Mesi. Ndërsa Mesi nuk foli shumë për veten, për këtë punë u kujdes trajneri i Atletiko Madridit, Kike Sançez Florez, i cili nuk ka dyshim se cili është lojtari më i mirë në Spanjë për momentin. “Ai është numëri 1. Ai luan ashtu siç dëshiron dhe shkon aty ku dëshiron. Nuk kam parë ndonjëherë lojtar si ai, Mesi është Di Stefano i shekullit XXI. Ai i ka të gjitha gjërat që i nevojiten një lojtari”, deklaroi Flores, i cili lavdëroi edhe ekipin e Barcelonës, e cila e mposhti ekipin e tij 3-0. “Kjo është një Barcelonë universale, ekip i madh. Ky ekip ka aftësi ta hipnotizojë kundërshtarin”, tha në fund Kike Sançez Florez. Edhe portieri i Atletikos, David De Gea, i cili e nxori tri herë topin nga rrjeta, ka thënë se ndaj një ekipi siç është Barcelona, aq më tepër në stadiumin “Camp Nou”, nuk mund të bësh asgjë më tepër.