E Diel, 1 Nëntor 2026

Blater i lëkundur për futjen e moviolës në futboll

MOSKE- FIFA mund të fusë në përdordim videon për të ashtuquajturit gola fantazmë në rast se sistemi është i garantuar se punon në mënyrë efikase. Por, për Kupën e Botës 2010, nuk ka kohë që të aplikohet një ndryshim i tillë. Ka qenë kjo deklarata e bërë në Rusi nga presidenti i FIFA-s Sep Blater. Ai ndodhet në Moskë bashkë me kreun e UEFA-s Mishel Platini për të parë mundësinë e organizimit të një Botërori në këtë vend, ndërsa pranoi për herë të parë në një konferencë për mediat se teknologjia mund të aplikohet. “Në princip, Bordi i FIFA-s e ka miratuar përdorimin e videove, por vetëm në rastet e golave fantazmë”, deklaroi Blater. Kreu i FIFA-s tha se bordi do të diskutojë dy lloje teknologjish, e para ajo e vendosjes së një çipi tek topi dhe tjetra teknologjia e quajtur sy shqiponjë, që përdoret në tenis. Blater megjitha konfirmoi se cilido të jetë vendimi i Komitetit Drejtues, teknologjia nuk do të përdoret në Botërorin e Afrikës së Jugut, pasi mbledhja do të jetë në muajin mars. Ai gjithashtu u bëri thirrje tifozëve, trajnerëve dhe lojtarëve, që të pranojnë faktin se arbitrat bëjnë gabime. “Nëse nuk pranoni gabimet e arbitrave, atëherë na duhet ta ndërpresim futbollin”, tha Blater. Një tjetër deklaratë e tij ishte ajo se do të rikandidonte për postin e presidentit të FIFA-s.(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›