Juventus në krizë, 8 humbje në 21 javë
TORINO- Tetë humbje në 21 javë për Juventusin e çiro Ferrarës, që të shtunën u mposht 2-1 nga Roma në Torino. Disfata e ka futur klubin bardhezi në një nga epokat më të errta të historisë, por për çudinë e të gjithëve trajneri Ferrara ka mbetur në postin e tij. Vetë tekniku ka deklaruar pas ndeshjes me Romën se as që e çon ndërmend dorëheqjen, por të hënën ose të martën mund të vijë shkarkimi i shumëpërfolur i tij. Problemi i vetëm për momentin duket mungesa e alternativave, duke qenë se pista Hidink është zbehur. Të dielën në mëngjes drejtuesit e Juventusit Blank, Betega e Seko ishin sërish në qendrën stërvitore të Vinovos, megjithëse duhet të ishte një ditë pushimi. Sot drejtuesit e kanë hedhur poshtë mundësinë e shkarkimit, por në orët e ardhshme priten zhvillime të reja. Ndryshimi në pankinë mund të ndodhë para ndeshjes në Kupën e Italisë ndaj Interit, ditën e enjte. Me Ferrarën së fundmi duket se nuk janë më as lojtarët. “Duhet të ndryshojmë dhe të mendojmë për objektiva të tjerë të sezonit tonë”, deklaroi kapiteni Aleks Del Piero, i cili ka luajtur për shumë vjet më Ferrarën në këtë skuadër. Humbja me Romën duket se ka bindur edhe nipin e Anjelëve, Xhon Elkan, që ishte në tribunë në këtë ndeshje, ku Juvja pësoi humbjen e tetë në 10 ndeshjet e fundit.(m.a/A. Latif/BalkanWeb)