PS: Meta e ka kthyer pushtetin në plackë lufte
TIRANE- Partia Socialiste ka reaguar pas deklaratave të bëra nga zv. Kryeministri Ilir Meta nga Korca, se nuk paska krizë politike dhe se PS po bën pazar me bojkotin për të fituar drejtimin e disa institucioneve. Në një prononcim për mediat deputetja socialiste Olta Xhacka u shpreh se “pushteti nuk mund të bëhet si plackë lufte sic ka bërë ai që sot kontrollon 20% të pushtetit me vetëm 4 deputetë. Përkundrazi, institucionet që ai përmend janë institucione të pavaruara që rrjedhin nga Kushtetuta dhe kurrësesi nuk mund të pretendojë as zoti Meta, as Sali Berisha se do të mund ti venë ato nën thundrën e partisë shtet vetëm se gëzojnë shumicën ilegjitime parlamentare”. Gjatë deklaratës së saj Xhacka theksoi se Meta e ka tradhëtuar popullin opozitar dhe është kundër zgjidhjes së krizës politike, dërsa ka theksuar se qëllimi i vetëm i bojkotit është hapja e kutive. “Hapja e kutive është kthyer për të në një mankth pasi do të zbardhte të vërtetën e mandatit të tij të vjedhur nga Partia Socialiste. Meta e sheh politikën si pazarin e radhës, ndërsa PS kërkon rivendosjen e demokracisë në Shqipëri”- u shpreh deputetja Xhacka duke kërkuar edhe një herë hapjen e kutive në emër të popullit opozitar.(m.a/BalkanWeb)