E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjaken rrugët. Dy aksidente këtë mëngjes, dy të vdekur

SHKODER-DURRES-Dy aksidente të rënda janë shënuar mëngjesin e sotëm me bilanc dy viktima. Një shtetas rreth të 50-tave ka humbur jetën aksidentalisht sot në mëngjes në një nga rrugët periferike të Durrësit, por ende nuk është bërë identifikimi, pasi viktimës nuk iu gjet asnëj dokument identifikimi. Burime zyrtare nga drejtoria e Policisë së qarkut, bënë të ditur se "aksidenti automobilistik ndodhi sot rreth orës 7.45 në rrugën e re hyrëse të Durrësit, në lagjen 17 të qytetit bregdetar, kur autovetura me targë DR 2347 D ka goditur për vdekje një kalimtar". Sipas burimeve, trupi i pajetë i viktimës ende i paidentifikuar është dërguar në morgun e spitalit rajonal të Durrësit, ndërsa lidhur me rrethanat e aksidentit inspektorët kanë marrë edhe dëshminë e drejtuesit të autoveturës, 52-vjeçarit A. D. nga Durrësi. Shkodër Kurse në veriperëndim të vendit, një 43-vjeçar ka gjetur vdekjen gjatë një aksidenti rrugor të ndodhur sot në aksin rrugor Bushat-Mjedë. Zëdhënësja e Policisë së Shkodrës, Fatbardha çelepia, tha sot se "nje mjet tip Benz 140 me targa SH 7265, ka dalë nga rruga dhe për pasojë drejtuesi i tij, shtetasi Astrit Demaj, ka gjetur vdekjen e menjëhershme". Ndërsa Muhamet Ymeri, 50 vjeç, i cili gjendej si pasagjer në mjet është plagosur dhe gjendet jashtë rrezikut për jetën në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Efektivat e policisë rrugore të komisariatit të Shkodrës kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po kryejnë hetimet për këtë aksident, ndërsa materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor në Shkodër për hetime të mëtejshme. (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›