Blatter konsideron shfrytëzimin e teknologjisë

Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter ka thënë se mund ta konsiderojë shfrytëzimin e xhirimeve të përsëritura për t’iu ndihmuar gjyqtarëve, në të ardhmen. Kreu i Federatës botërore të futbollit vazhdimisht kishte kundërshtuar përdorimin e xhirimeve të përsëritura si ndihmë për gjyqtarët, sepse kjo do të ndërpriste rrjedhën e lojës.
Por, gjatë një interviste me të përditshmen zvicerane, Sonntagsblick, ai ka thënë se mund ta konsiderojë këtë mundësi pas aprovimit të teknologjive të reja. “Nuk jam plotësisht kundër saj. Por, vetëm pasi teknologjia e vijës së portës është e gatshme të shfrytëzohet, vetëm atëherë”, tha ai.
Mbrojtësit e rregullave të futbollit, Bordi i asociacionit ndërkombëtar të futbollit pritet të diskutojë rreth teknologjisë elektronike në vijën e portës, duke përfshirë çipat kompjuterikë në topa dhe kamerat afër portës, gjatë një takimi të tij në mars. Blatter, përsëri ka përjashtuar mundësinë e shfrytëzimit të ndihmës së teknologjisë në Kampionatin botëror në Afrikën e Jugut, këtë verë. “Nuk do të bëjmë eksperimente atje, as me gjyqtarë shtesë”, u shpreh Blatter.