Blatter, largohu!

Ish nënkryetari i FIFA-s, Lennart Johansson, i ka bërë thirrje presidentit aktual, Sepp Blatter, të tërhiqet nga detyra. Johansson humbi zgjedhjet presidenciale më 1998 nga Blatter, i cili është në fuqi nga ajo kohë dhe vitin e kaluar ishte pa kundër-kandidat, kur siguroi një mandat të ri katërvjeçar.
“Nuk mund të jetë që vetëm një njeri të diktojë dhe të marrë të gjitha vendimet rreth futbollit botëror,” tha Johansson për BBC World Service. “Duhet bërë shumë më tepër se kaq dhe mendoj se duhet larguar njeriun në fjalë”, shtoi ai.
Suedezi theksoi se ish kapiteni i Francës, Michel Platini, i cili e zëvendësoi atë në postin e presidentit të UEFA-s më 2007, do të ishte kandidat ideal, në vend të Blatterit, në krye të shtëpisë botërore të futbollit.
“Mendoj se Platini është njeriu më i përafërt nga ai i cili kërkohet për këtë post. Ai është munduar të jetë i drejtë, ai ka mendje të hapur, lejon diskutime dhe i respekton vendimet e marra nga shumica”, vazhdoi Johansson.
I pyetur për mendimin e tij për 75 vjeçarin Blatter, Johansson - i cili ishte president i UEFA-s nga 1990 deri 2007 - tha: “Nuk e dua, nuk i kalojmë Krishtlindjet së bashku, por respektoj njohurinë e tij. Thjesht nuk më pëlqen diktatura e tij. Disa do ta respektojnë, por shumica do të thonë se nuk është i mirë. Nuk është lehtë ta admironi ose respektoni”.
Zgjedhjet e fituara nga Blatteri
1998: Lennart Johansson tërhiqet pas rrethit të parë të votave dhe i mundëson Blatterit të ketë epërsi të paarritshme.
2002: Blatter mposht sfiduesin e tij Issa Hayatou, president i Konfederatës Afrikane të Futbollit.
2007: Fiton zgjedhjet pa kundër-kandidat.
2011: Rivali Mohamed bin Hammam tërhiqet pas suspendimit të tij për shkak të akuzave për blerjen e votave për përzgjedhjen e nikoqirit për Kampionatin botëror 2022 në Katar, duke lënë Blatterin pa rival.