Duraku zbarkon në Trepçë ’89
‘Xehetarët’ tashmë po e riorganizojnë shkollën e tyre të futbollit, ku koordinator e kanë emëruar trajnerin e njohur kosovar, Fahredin Durakun.
“Iu kemi qasur shumë seriozisht punës në shkollën tonë të futbollit. Andaj, Fahredin Durakun e kemi emëruar koordinator të shkollës. Jemi të gëzuar që ai ka pranuar të punojë në këtë post. Duraku do të jetë një pasuri e madhe për Trepçën ’89 dhe shpejt do të fillojnë të dalin rezultatet e para të punës tonë dhe të Durakut që kemi nis ta bëjmë në shkollën e futbollit”, ka deklaruar për Express drejtori i Trepçës ’89, Ilir Bojku.
Kurse, Duraku ka pohuar se pa hezituar fare e ka pranuar ofertën e krerëve të këtij klubi.
“Krerët e klubit i kanë kushtuar rëndësi të madhe shkollës së futbollit. Mitrovica gjithmonë ka pasur talentë, andaj Trepça ’89 nuk do të lejojë më që ata të humbasin, sepse kjo do të ishte mëkat. Andaj e pash të arsyeshme të kontribuoj në këtë drejtim dhe e pranova postin e koordinatorit të shkollës. Unë premtoj se nën udhëheqjen time, në shkollën tonë do të bëhet një punë shumë profesionale me kritere të UEFA-s”, theksoi Duraku i cili më herët kishte drejtuar këtë ekip.
Osmani përforcon Trepçën ‘89
Shemsi Osmani i ka dhënë fund aventurës së tij me FC Prishtinën. Ai e ka shkëputur kontratën me bardhekaltrit dhe karrierën do ta vazhdoj në Mitrovicë, ku do t’i mbroj ngjyrat e Trepçës ’89.
“Shemsi Osmani e ka prishur kontratën me Prishtinën dhe si lojtar i lirë iu është bashkuar skuadrës sonë. Ai do të luaj në ekipin tonë për një vit e gjysmë”, tha drejtori i kësaj skuadre, Ilir Bojku.
Ndërkohë, ai njoftoi se Trepça ’89 të shtunën do të udhëtojë drejt Shqipërisë, ku për dy javë do ta zhvillojë një fazë përgatitore për sezonin pranveror, gjatë të cilit mitrovicasit do të luftojnë për titull të kampionit. Gjatë përgatitjeve në Shqipëri, ‘xehetarët’ pritet t’i zhvillojmë edhe gjashtë apo shtatë ndeshje miqësore.