Mobilizohet Kosova

Pas një krize dyvjeçare që e përjetoi, Kosova e Vushtrrisë më në fund ka nisur të këndellet. Madje, bardhekaltrit po mobilizohen që gjatë stinorit pranveror të luftojnë denjësisht në Ligën e Parë, me qëllim që të rikthehen në Superligën e Kosovës në futboll.
Vushtrriasit tashmë i kanë përvjelë mëngët dhe janë hedhur në ofensivë për t’i rikthyer në skuadër disa ish lojtarë të tyre, të cilët kohëve të fundit ishin të shpërndarë në ekipe të ndryshme të Kosovës.
Pas portierit Florent Zymeri dhe mbrojtësit Ismet Caka, Kosova e Vushtrrisë shumë shpejt pritet t’i konfirmojë edhe disa rikthime tjera. Fjala është për Festim Istrefin, Faruk Zenelin, Bahri Kerën, Armend Zabërxhën, Kujtim Kutllovcin e Blerim Vilancin. Madje, gjithë këta lojtarë tashmë po stërvitin nën urdhrat e trajnerit të Kosovës (V), Besnik Kollari.
“Deri më tani, zyrtarisht marrëveshje kemi arritur me Zymerin dhe Cakën. Me këta të tjerët jemi në bisedime dhe kur je në bisedime me futbollistë, normalisht që gjasat janë reale që të arrihen marrëveshje. Kështu që jam optimist se edhe këta të tjerët mund të mbesin në ekipin tonë”, deklaroi Kollari për Express.
Nëse Kosova (V) nënshkruan kontrata me lojtarët e lartpërmendur, gjë që faktikisht pritet të ndodhë, atëherë gjasat do të jenë të mëdha që kjo skuadër në fund të këtij edicioni ta festojë rikthimin në Superligë. Kështu mendon edhe vetë Kollari.
“Sezonin e patëm filluar me lojtarë të rinj në kushte të rënda financiare, vetëm që klubi mos të shuhet. Por, punuam shumë me ata të rinj dhe i arritëm disa rezultate të mira, për çka i falënderoj ata lojtarë për angazhimin. Sikur ta synonim rikthimin në Superligë prej fillimit të sezonit, do ta kishim më të lehtë ta arrinim objektivin sesa që mund ta arrijmë një objektiv që ia qesim vetës përpara prej pjesës së dytë të kampionatit”, tha Kollari.
“Megjithatë, ne nuk do të dorëzohemi dhe nëse na jepet mundësia, do të përpiqemi ta shfrytëzojmë atë, sepse tifozët tanë kanë nevojë që Kosovën (V) ta shohin në Superligë”, përfundoi ai.
Sezonin pranveror Kosova (V) e ka përmbyllur duke u pozicionuar në vendin e pestë të tabelës me 21 pikë, 13 më pak sesa lideri Feronikeli. Mirëpo, ka vetëm gjashtë pikë më pak sesa Hajvalia që pozicionohet në vendin e dytë, pozitë kjo që çon direkt në Superligë dhe dy më pak sesa Ferizaj, që gjendet në vendin tretë, që çon në ndeshje barazhi për t’u inkuadruar në elitë.