E Diel, 1 Nëntor 2026

Riza Lushta , futbollisti shqiptar nga Mitrovica në historinë e artë të Juventusit

Riza Lushta me 42 golat e tij e ka renditur Shqipërinë të gjashtën ndër 17 shtete që përfaqësoheshin me futbollistët e tyre në klubin e “Juventus” të Torinos. Në krye është Argjentina me mbi 10 futbollistë e me Omar Sivorin me 135 gola në dymbëdhjetë vitet e tij me “Juventus”, Platini i famshëm me 85 gola në dhjetë vjet…Rizai ynë me 42 gola vetëm për tri vjet!

Në nëntor të vitit 1990 isha i ftuar për darkë në shtëpinë e avokatit Di Crescendo (mjaft i njohur në qytetin e Torinos – Itali). Nga Vlora kishte ardhë një mik i tij me të shoqen, në familjen e të cilit, në Himarë ai ishte strehuar gjatë kohës së kapitullimit të ushtrisë italiane. Unë i takova ata gjatë udhëtimit me traget nga Durrësi në Trieste. Me që nuk dinin gjuhën dhe shkonim në të njëjtin qytet, Torino, ua hoqa sikletin për rrugën e gjatë dhe ndoshta për herë të parë që ata bënin jashtë shtetit. Pas një udhëtimi disa orësh me tren nga Trieste arritëm në Torino. Nga stacioni i trenit i bëra një telefonatë avokatit. Ai mjaft i gëzuar për arritjen e mikut të tij, që e kishte lënë vetëm dhjetë vjec e do të takohej me atë që kullosnin në mal së bashku bagëtinë, luanin, hanin e flinin në një kasolle, më tha të prisnim aty se do të dërgonte menjëherë dikë për të na marrë. Kishin plot 55 vjet pa u parë.

Unë i kërkova adresën dhe i thashë qe për 15 minuta na ke atje. Ai na priti ne zyrën luksoze te tij ne qendër te qytetit. Unë i kërkova leje dhe mora të ikja, por ai m’u lut të shkoja në shtëpinë e tij për darkë, ku kishte ftuar të gjithë fëmijët e tij me burra e gra, nipër e mbesa, për këtë eveniment mjaft te veçante. Nuk kisha si te kundërshtoja dhe shkova për darkë në shtëpinë e tij pranë stadiumit te vjetër “Comunale” të Torinos.

Ishte një shtëpi mjaft luksoze, që i përkiste rangut të avokatit. Në një dhomë të madhe me një tryeze gjigante ovale ishin ulur shumë persona dhe diku në krye ishin miqtë shqiptarë e pranë tyre avokati me të shoqen dhe një vend për mua pranë tyre. Tavolina ishte e shtruar me të gjithë të mirat. M’u desh që në fillim të luaja rolin e përkthyesit dhe t’u përktheja çdo pyetje apo bisedë që ishte përqendruar në dy “miqtë e dashur” si i quante shpesh avokati. Në përgjithësi ishin kureshtarë të dinin më shumë për Shqipërinë, që ishte në rend të ditës kudo në Itali në atë kohë. Ndërmjet bisedave të ndryshme u fol me zjarr e pasion për ekipin e “Juventusit”, në prag të ndeshjeve për kupat e Europës.

Pa dashur u bëra epiqendër i një debati te ri, për te cilin m’u desh të dialogoja gjatë me bashkëbiseduesit (ku ne te djathtën time ishte dhëndëri i shtëpisë Franco Zapacosta, gazetar sportiv ne gazetën e madhe autoritare sportive italiane “Tutto Sport” si dhe një gazetar tjetër) te cilët dukeshin të bindur për një “gabim” ose mungesë të njohurive sportive nga ana ime. Shkak i këtij”gabimi” sipas tyre u bë thënia e ime se me “Juventusin” e Torinos ka luajtur e shkëlqyer një futbollist shqiptar i quajtur Riza Lushta. Këtë fakt ishin të shumtë që e dinin në Shqipëri e sidomos në Tiranë, veteranë e ndër ta im atë, që e kujtonin plot respekt atë futbollist të madh, që për brezin tim ishte një ëndërr e krenari kombëtare. Im atë një ndër arbritrat e paktë të FIFA-s në Shqipëri në kohën e Mbretit Zog I dhe plot sportdashës tiranas të moshuar e kujtonin plot nostalgji atë yll të viteve ’30-40.

Atë natë për mua bindës qe fakti që një vit më parë në revistën autoritare sportive “Guerin Sportivo” me rastin e përvjetorit te klubit torinez “Juventus” i kushtohej disa faqe të huajve më të shquar në vite për këtë ekip. Aty kisha lexuar për Riza Lushten apo “Llustren”, që thirrej tek ne, që në tre kampionate me “Juventusin”, ato te viteve 1940-1941, 1941-1942, 1942-1943 ai shënoi 9, 16 dhe 17 gola pra plot 42 gola. Shifër qe siç shprehej revista në fjalë “ …një mesatare golash që mbush plot zili edhe golashënuesit më të shquar…”.

Në një diagram ishin paraqitur 42 futbollistë të huaj, që kishin luajtur me “Juventusin” deri në prill të vitit 1989. Unë shtanga nga kënaqësia kur pashë se aty figuronte Riza Lushta me 42 golat e tij duke e renditur Shqipërinë te gjashtën ndër 17 shtete që ishin perfaqësuar me futbollistët e tyre në këtë klub. Në krye ishte Argjentina me mbi 10 futbollistë e kampionë Omar Sivori me 135 gola në dymbëdhjetë vitet e tij me “Juventusin”. Platini i famshëm me 85 gola në 10 vjet….Rizai me 42 gola vetëm në tri vjet!!!! Por, për të gjitha këto nuk do të bindeshin lehte bashkëbiseduesit e mi, madje as Zapacosta, redaktor i “Tutto Sport”. Ai pasi më dëgjoi me shume vëmendje, mori të birin në telefon dhe e porositi të kontrollonte të gjitha formacionet e “Juventusit” në të gjitha kohërat. Përgjigja erdhi negative “…asnjë shqiptar nuk ka luajtur me “Juventusin” e Torinos, në asnjë kohë.

Ky fakt i vuri momentalisht kapak bisedës, duke menduar se me zhgënjyen. Por, unë isha i bindur që e vërteta qëndronte ndryshe. Fillova interesimin qysh të nesërmen. Në këto qaste i thirra kujtesës, që më erdhi në ndihmë me numrin e “Guerin Sportivo” që i jam referuar më lart. Në të në fund të shkrimit thuhej se “….Riza Lushta është vendosur përfundimisht në Itali dhe sot e kësaj dite banon në Torino….

Interesimi im dhe i miqve të mi italiane në Politecnico të Torinos bëri që megjithëse me vështirësi unë te gjeja adresën e tij. Ai jetonte ne qendër te qytetit, pranë stacionit te trenit në Porta Nova. Në një apartament të banuar nga dy familje, ku ai kishte një dhomë të thjeshte, me një krevat, një komo, dy karrige dhe televizorin me te cilin ndiqte çdo ndeshje e aktivitet sportive. Një sallon i madh e i mobiluar më së miri ndahej në mes tij dhe familjes tjetër, një grua e moshuar dhe vajza e saj. Pasi e njoftova në telefon, shkova i mirëpritur me zemër te hapur dhe pata një takim që zgjati plot tri orë.

Megjithëse jo ne cilësinë e një gazetari sportiv, unë u njoha me një copëz te jetës se tij, duke pasur përpara te vetmet gjera qe i kishin mbetur : katër albume me fotografi e dokumente nga jeta e tij sportive. Mosha e tij 75 vjeçare dhe sëmundja e reumatizmes (lëvizte me vështirësi) nuk e kishin mposhtur atë burrë me trup të drejtë si selvi, i gjatë, i dobët, i thinjur plotësisht e me një pamje tepër fisnike dhe mbi te gjitha me një mendje të kthjellet për t’ia pasur zili. Kishte lindur më 3 shkurt në Mitrovice në Kosovë. Në moshë mjaft të re filloi të luante futboll me sport klub “Tirana”, për të cilin ai ruante kujtime nga ma te paharruarat. Selman Stermasin e shokë të tjerë i kujtonte me mjaft nostalgji dhe shpesh herë gjatë bisedës më pyeste nëse rronin akoma.

Shpeshherë duke ndërprerë tregimin e jetës se tij, më thoshte se ai famën si sportist fitova në Shqipëri. U largua nga Shqipëria në vitin 1939 për në Itali ku luajti gjysmë kampionati me “Barin”. Në vitin 1940 deri në vitin 1943 luajti me “Juventusin” e Torinos, kryesisht me numrin 10 e rrallë me numrin 9. Duhet theksuar se këtu ai udhëhoqi sulmin e “Juventusit” të atyre viteve që ishte ne kërkim te mposhtjes së ekipeve më në zë të asaj kohe si “Inter Ambrosiana”, “Bologna”, “Roma” etj. Në këto katër vjet ai fitoi një kupë të Italisë me “Juventusin”. Në vjeshtë të vitit 1943 ai kreu një operacion menisku në gju, ndërkohë qe lufta e ndërpreu aktivitetin e tij, vetëm përkohësisht se ai rifilloi të luajë me ‘Napolin”. Atje ai luajti vetëm një kampionat.

Në Napoli Rizai shquhet dhe fitoi titullin kampion me “Napolin” (ne atë kohe Italia kishte dy kampionate : atë të Veriut dhe të Jugut). Ishte një futbollist i shquar, aq sa ne vitet e famës se plote ai u grumbullua ne Firenze dhe zhvilloi stërvitje me ekipin kombëtar te Italisë, qe drejtohej nga trajneri i shquar Vittorio Pozzo. Nuk luajti me këtë ekip, por mbeti rezerve “…thjeshte se kish kombësi shqiptare…!!

Rizai tregon: “…nuk e di as vetë se si , por unë duke ju shmangur mbrojtësve, që futeshin gjithmonë e me ashpër, tërhiqja topin pas vetes. Papritmas e shihja veten të çliruar nga ata “gardiane” dhe përballë portës se madhe portierit me dukeshin mjaft te vegjël!!! Kisha siguri te madhe ne shënimin e golave, a po aty s’të falja kurrë. Për këtë isha stërvitur një jete të tërë.!!”

“….Ne fillim me topa lecke, ma vonë me topa llastiku e deri sa arrita ne topat e vërtetë. Edhe kur flija shpesh topin e desha afër kokës. Kur vrapoja me dukej se topi me ngjitej dhe më ndiqte nga pas….”

Mbas “Napolit” ai veshi për dy vjet fanellën e “Aleksandrias”, një ekip pranë Torinos qe luante ne kategorinë e parë (Serie A). Në vitin 1949 Riza Lushta për nevoja ekonomike largohet nga Italia dhe shkon në Francë ku pasi luajti dy vjet me “Kane”, kthehet përsëri në Itali ku e mbyll karrierën në vitin 1952 ne skuadra të kategorive më të ulëta.

Vitet e mëvonshme ishin mjaft te vështira për te. I divorcuar, i larguar përgjithmonë nga fushat e futbollit ai emigron në Amerikë ku qëndron afro 19 vjet ne Neë York, duke punuar gjate gjithë kohës si shërbyes tek një ashensor i një gratacieli te madh. Ne vitin 1975 kthehet përfundimisht ne Torino, duke u aktivizuar fillimisht pa shpërblim pranë klubit të “Juventusit”, si këshilltar e seleksionues i futbollisteve të rinj.

Mjaft i emocionuar me lot ne sy me fliste “…Sot një futbollist i shquar fiton shumë, ndërsa unë përveç duartrokitjeve dhe përqafimeve te tifozëve e kolegeve te mi, nga futbolli nuk fitova asgjë. Madje karriera ime e gjate qe filloi nga fundi i viteve ’30 e mbaroi ne fillim te viteve ’50 nuk me lejoi te kryeja as shkollën…”

Riza Lushta jetoi larg atdheut me mall e dëshire për ta pare atë. Mallkonte këmbët që tani nuk i komandonte dot plotësisht, ato këmbë qe dikur i dhanë “lavdi”. Tashmë i harruar nga qeveritarët, por kurrë nga zemrat e sportdashësve shqiptarë ngryste i vetmuar vitet e pleqërisë në dhe të huaj. I pyetur perse nuk u kthye më parë në atdhe, ai më tha “ ..kur erdhën e më takuan dy shokë të mi, një ndër ta i shumë njohuri Bik Jakova, unë kisha deshirë te kthehesha me ta në Shqipëri, por nuk mposhta dëshirën e gruas sime italiane për te mos u larguar nga njerëzit e saj…”.

Më vonë vitet kalonin, jeta e vështirë dhe me shumë peripeci dhe pse jo dhe mos interesimi ynë bënë që ky futbollist i shquar shqiptar të zhytej në pluhurin e harresës se pamëshirshme. Madje kur të tjerët kërkonin ta përpinin si atdhetar te tyre. U arrit deri aty sa në vitin 1963 gazeta jugosllave “Svet”, në një faqe të plotë nën titullin gjigant “Jugosllavi i padëgjuar- futbollisti më i mirë i Italisë” (Nepoznati jugosloven-najboli futboler Itali), përshkruante jetën e madhe sportive te këtij ylli të fushave të blerta, Riza Lushtes.

Këtë gazete Rizai e kishte së bashku me albumet e veta. Pasi e pashë dhe e kuptova përse bëhej fjalë, e pyeta nëse e kuptonte serbishten, gjuhë në të cilën ishte shkruar ky artikull, sidomos për atë titull me germa të mëdha. Ai m’u përgjigj se nuk e dinte përse bëhej fjalë, dinte që ishte një shkrim për të i dhuruar nga një mik i tij italian. Kur ia shpjegova se çfarë shkruhej në titullin e kësaj gazete dhe i thashë që e quajnë jugosllav, ai buzëqeshi me cinizëm dhe me një shqipe të paharruar e të pastër pohoi “..Unë jam shqiptar i lindur në Kosovë, i rritun e i formuem në balten e Shallvares me sport klub “Tirana”.

U ndava nga Rizai, i percjellë nga lotët e tij, që i rridhnin si të një fëmije nga mallëngjimi, me bindjen se do të shkruaja për të një shkrim modest, për ta bërë të njohur këtë figurë të shquar të sportit tonë, të cilin jeta e detyroi të largohej nga trualli i atdheut të tij Kosovë e Shqipëri.

Në ditët që pasuan të gjithë pjesëmarrësit e debatit miqësor, të zhvilluar në familjen e mikut italian, filluan të më telefononin e të më flisnin plot simpati për shqiptarin që thyente çdo mbrojtje, siç ishin ato të “Inter Ambrosiana”, “Bologna” etj. me plot lojtarë kampionë botë (në atë kohë Italia ishte dy herë kampione e botës). Riza Lushta hyri në historinë e futbollit italian pa zhurmë e bujë dhe luajti në sulm krahas Borelit, Gavetos, Klausit, Pioles, Farfalinos e Raves ish lojtarë të përfaqësueses italiane. Pikërisht Rava një plak simpatik , që nuk i ndahej klubit të “Juventusit”, mik e shok i ngushtë i Rizait, më tregoi adresën e plotë të tij.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›