E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bledar Devolli: Luftëtari pragmatist, rezultati është esencial

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Kapiteni i kryesuesve thekson se në radhë të parë kanë rëndësi 3 pikët, ndërsa spektakli në lojë vjen më pas

27 pikë është diferenca e pikëve midis Luftëtarit (ka edhe 1 ndeshje më pak) dhe Himarës, të cilën e pret për javën e 17-të të kampionatit. Një diferencë e tillë nuk lë hapësirë të mendosh se i mbyturi të merr me vete, gjë që mund të ndodhë, nëse gjirokastritët flenë mbi dafina. Por ata nuk e hanë këtë kokërr ulliri, pra 3-pikëshi në këtë ndeshje  është 100%  për ekipin vendës, që ndoshta mund të tregohet i pamëshirshëm dhe kësisoj të realizojë ndonjë goleadë.

Himara jashtë fushe ka marrë vetëm 1 pikë, pra logjikisht nuk mund të bëjë të pabërën me ekipin e Luftëtarit, që në fushën e tij njeh vetëm fitore. Për suksesin e këtij ekipi, deri tani, peshat e rënda janë gjirokastritët Devolli, Nora, Stoja, Sinani, Shalari dhe Gaxhaj, shkodranët Selimaj, Baci, Ramadani, Raboshta, por edhe Mersini me Çaçon, ndërsa pritet që në vazhdim të kontribuojnë edhe Hithi, Nino, Strati e Braho.

Devolli Kapiteni i Luftëtarit, Bledar Devolli, me një përvojë të gjatë  me shumë ekipe elitare të superligës sonë, këtë sezon denjoi të kthehet tek ekipi mëmë pas 10 vjetësh, për ta udëhequr drejt superiores. Për ndeshjen me Himarën dhe vazhdimin e kampionatit ai  shprehet: Për të arritur një objektiv të rëndësishëm, në radhë të parë duhet të fitosh sa më shumë pikë, dhe kjo është esenca e futbollit pragmatist.

Në rast se arrin të japësh edhe spektakël, është diçka e mrekullueshme, por të dyja bashkë arrihen nga ekipe jashtë serisë, me ndonjë përjashtim të rrallë. Ekipi ynë për kategorinë e parë, nuk e ekazagjerojmë po të themi se, është ndoshta i vetmi i tillë. Pavarësiht nga kjo, ne që këtë sezon kemi marrë përsipër ta kthejmë Luftëtarin në superiore.

Duhet të kemi parasysh se, si me Himarën, ashtu edhe me Kukësin, në radhë të parë duhet të fitojmë 3 pikët, qoftë edhe me lojë  jotërheqëse. Himara duhet respektuar për përpjekjet e saj, pavarësisht se rezultatet nuk i ka aspak të mira, por kjo është e pashmangshme, sepse në çdo kampionat ekziston  gjithmonë renditja, që ka të parin dhe të fundit, ku aktualisht  janë ekipet që do të ndeshen në stadiumin e Gjirokastrës.

Na duhet të bëjmë detyrën, duke luftuar me shpirt sportiv për të marrë 3 pikët  dhe kështu, në mënyrë të padiskutueshme, të jemi të parët, dhe për këtë jam mëse i sigurt që do ta realizojmë.

 

17 sezone

ka futbollisti gjirokastrit me ekipe të rriturish. Përveç Luftëtarit, ai ka luajtur edhe me Tiranën, Partizanin, Vllazninë, Teutën, Elbasanin, Skënderbeun, Lushnjën dhe Tomorin

1 gol

Ka shënuar Devolli deri tani për Luftëtarin, konkretisht në ndeshjen me Gramozin, ku gjirokastritët fituan 4-0. Ai ka qenë thelbësor me lojën e tij për ekipin kryesues

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›