Blejk me ore 500 mije dollare ne piste

Johan Blejk ishte atleti që cilësohej si rivali më i madh i Usain Bolt, si i vetmi që mund ta mposhte shokun e tij, të paktën e në garën e 200 metrave. Por, me Bolt që dominoi garën nga fillimi deri në fund, duke fituar pa vështirësi, vëmendja te Blejk nuk ka qenë te paraqitja në pistë, sesa te një ngjarje e veçantë.
Sprintieri xhamajkan është vënë në qendër të diskutimeve, pasi është paraqitur në garat e Londër 2012 me një orë të disenjuar nga Riçard Mille, me vlerë 500 mijë dollare.
Këtë bizhu, atleti e ka mbajtur edhe në finalen e madhe të 100 metrave, duke zemëruar Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe organizatorët e Lojërave Olimpike. Kjo për faktin se partner zyrtar i Olimpiadës është “Omega” dhe ora e personalizuar për Blejk, me ngjyrat e flamurit të Xhamajkës cilësohej si reklamë e paautorizuar.
Sipas mediave ndërkombëtar, ora është një bizhu unike, e krijuar posaçërisht për Blejk në mënyrë që ai ta mbante gjatë Lojërave Olimpike. Sprintieri 22-vjeçar e mbajti gjatë gjysmëfinaleve dhe finales në 100 metra si edhe në gjysmëfinalet e garës së 200 metrave.
Por, prej presionit të IOC-së dhe faktit se mund të rrezikonte penalizime, ku masa më e vogël ndëshkimore ishte gjoba financiare, Blejk u detyrua që ta hiqte orën me vlerë 500 mijë dollarë, kur garoi në finalen e 200 metrave.
Kjo nuk ishte hera e parë që Riçard Mille sponsorizon një prej yjeve të sportit në aktivitetet madhore. Në qershor, ishte Rafael Nadal ai që mbajti orën e markës luksoze, me vlerë 525 mijë dollarë amerikanë gjatë turneut të tenisit “French Open”.